Prishja e Teatrit Kombëtar në Tiranë, opozita paralajmëron protesta popullore

Opozita në Shqipëri paralajmëron nisjen e protestave popullore. Shembja e teatrit ka shkaktuar mllef të madh. Gjatë protestave ka pasur dhunë dhe shumë arrestime.

Marketing

Një grumbull rrënojash është gjithë çfarë ka mbetur nga godina kryesore e kompleksit 70-vjeçar të Teatrit Kombëtar në Tiranë, pas shembjes së saj në orët e para të mëngjesit të sotëm (17.05.2020).

Lëvizja “Aleanca për Teatrin” e aktorëve për ta ristrukturuar dhe jo shembur nuk ia doli mbanë. Edhe pse anëtarët e saj deklaruan se fandromat do të kalonin më parë në trupat e tyre, policia i nxori ata me forcë jashtë mjediseve të teatrit, ku për 27 muaj ata kundërshtuan opsionin e qeverisë për ta shembur kompleksin e vjetër dhe ndërtuar në vend të tij një teatër të ri. Ata u bënë pjesë e protestës së qytetarëve dhe opozitës jashtë parlamentare që vazhdoi deri në orët e para të mesditës. Policia arrestoi eksponentët më aktivë të lëvizjes dhe përdori dhunë për t’i shpërndarë protestuesit që shembjen e Teatrit e konsiderojnë si “instalim të diktaturës” nga qeveria Rama, ndaj të cilës bënë thirrje për ta rrëzuar.

Opozita e bashkuar jashtë parlamentit, që e ka mbështetur lëvizjen”Aleanca për Teatrin” paralajmëroi sot, përmes liderit të saj Lulzim Basha, fillimin e protestave mbarëpopullore për të rrëzuar qeverinë Rama. Sipas saj, shembja e Teatrit Kombëtar është “flijimi i lirive dhe të drejtave elementare të çdo qytetari”.