Prishtinë, 13 vjeçarja përmes artit ndihmon trajtimin e sëmundjes së saj

13 vjeçarja përmes artit ndihmon familjen në mbulimin e shpenzime për trajtimin e sëmundjes së saj Yllka Leti, 13 vjeçarja nga Prishtina vuan nga Fibroza Cistike f508-të, sëmundje kjo gjenetike e cila prek organet e brendshme, pankreasin, mëlçinë dhe mushkëritë.

Marketing

Duke qenë se barërat për trajtimin e saj janë të kushtueshme, Yllka ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për t’i ndihmuar prindërit në mbulimin e shpenzimeve.
”Terapia ime është shumë e nevojshme për mua po aq sa edhe e kushtueshme”.

”Unë gjithnjë kam dashur të vizatoj dhe pikturoj. Shpresoj të bëhem një piktore me famë botërore dhe të sigurojë sadopak terapinë e cila është shumë e kushtueshme”, u shpreh ajo për klankosova.tv.

Yllka thotë se është duke punuar në disa piktura që janë më të përshtatshme për të, por me kalimin e kohës do të ketë tema të tjera për të vetmin qëllim.
”Që t’ju pëlqejnë të gjithëve për t’i blerë barërat që më duhen mua”.

Gjendjen shëndetësore të vajzës, vështirë se e përballon edhe Lindita Neziri-Leti, nëna e saj, e cila tregoi për klankosova.tv se si po e mbulon koston e lartë për trajtimin e sëmundjes.
”E ngarkuar me barna, i bëj pyetje vetes nëse me të vërtetë fëmija im ka nevojë për të gjitha këto barna. Përgjigjja është PO! Asnjë prej tyre nuk mund të anashkalohet, dhe trajtimi është i shtrenjtë!”.
”Në fillim të tretmanit e kisha të vështirë, por me kalimin e kohës jam mësuar dhe duke praktikuar çdo ditë është bërë rutinë; dhe ky tretman do të jetë i nevojshëm gjatë gjithë jetës së fëmijës”.

Lindita Neziri-Leti, e cila është shitëse në një dyqan, thotë se terapia e përditshme me të cilën trajtohet vajza e saj, kurrë nuk duhet të lihet pas dore.
Trajtimi përfshin inhalacione, fizioterapi, enzime në çdo ushqim, antibiotikë nëse është e nevojshme, vitamina që treten në yndyra, medikamente për mëlçinë por edhe analiza të rregullta klinike.

Me gjithë përkushtimin për shëndet më të mirë të vajzës së saj, atë e mundon edhe gjendja financiare, njofton Klan Kosova.

”Ballafaqimi i përditshëm me sëmundjen, ku në kushte stabile të shëndetit të fëmijës, shpenzimet minimale janë 500 euro në muaj dhe rreth 1500 euro në muaj kur ndodhin komplikime, që ndodhë shumë shpesh”.

”Nga të ardhurat që kemi si familje, edhe pse jo shumë të larta, kemi siguruar të gjitha medikamentet për vajzën; por shumë herë familja dhe shoqëria na kane dalë në ndihmë duke na siguruar barnat e nevojshme”.
Nëna e 13 vjeçares nga Prishtina gjithashtu tregon sesi erdhi deri tek ideja qe Yllka të merret si dhe t’i shes punimet e saj të artit.

”Qe një kohë, ajo ka filluar një kurs për Art Me Pika (Art With Dots), ku nga kjo i lindi ideja që punimet e saj t’i shesë dhe të hyrat nga këto punime ty shfrytëzojë në sigurimin e barnave për vete si dhe një pjesë t’i dedikohet fëmijëve tjerë me fibrozë cistike për blerjen e barnave dhe pajisjeve të domosdoshme”.

Valbona Karabaxhaku – Derdovski, që është mësuese në kursin e artit që ndjek Yllka Leti pohon se 13 vjeçarja ka ëndërr të hap një ekspozitë me pikturat e saj me pika.

‘’Yllka me hapjen e ekspozitës kishte qëllimin e shitjes së pikturave për të kontribuar sado pak në terapinë e saj, unë këtë vonë e kuptova , tek kur nëna e saj më tregoi për sëmundjen. Po, ajo kërkon të mundurën por mjerisht tek ne nëpër ekspozita, galeritë vetëm vizitohen por shumë rrallë ndodhë që të ketë shitje’’.

Karabaxhaku – Derdovski, thotë se ky mbetet vetëm fillimi i rrugëtimit të saj me Yllkën në artin me pika, pasi shton se ky lloj arti është një terapi dhe qetësi shpirtërore.
Këtë e ka dëshmuar edhe vet Yllka ku thotë:

”Kohën qe jam duke bërë këtë art, asnjëherë nuk më shkon mendja tek sëmundja, e cila gjithmonë sillej në mendjen time”.

Marketing