Prishtinë, qytetarët protestojnë në ballkone kundër zhvillimeve politike

Qytetarët e Prishtinës të vetëizoluar nga koronavirusi i ri COVID-19 kanë protestuar nga ballkonet e banesave të tyre për të shprehur pakënaqësi nga zhvillimet e fundit politike në vend, të cilat po ndodhin në të njëjtën kohë me përhapjen e pandemisë.

Marketing

Me enë, çelësa, mjete të ndryshme shtëpiake dhe fishkëllima, qytetarë të shumtë kanë bërë zhurmë për disa minuta pa ndërprerë.

Protesta u iniciua nga një grup i quajtur “Replikë” në median sociale, ku më shumë se dy mijë vetë fillimisht pranuan ftesën për t’iu bashkëngjitur protestës.

“Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri, në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit”, thuhet në njoftimin e paralajmëruar të protestës.

Sipas tyre, dalja në këtë protestë do të ketë qëllim “për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucionalë në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas i Kosovës”.

Dje, kryeministri Albin Kurti shkarkoi ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), Agim Veliun, për shkak se, siç tha kryeministri, ai kishte përhapur panik të panevojshëm për pandeminë te qytetarët. Pas këtij shkarkimi, partia e ministrit Veliu, Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se do të iniciojë mocion votëbesimi për “rrëzimin e qeverisë”.

Në Kosovë, deri më tani, nga më shumë se 300 mostra të testuara, 20 persona janë diagnostikuar me koronavirusin e ri COVID-19.

Marketing