Prizren, restaurohet shtëpia monument kulture e familjes Doda e ndërtuar në shekullin XVIII-XIX

Në kuadër të 53 vjetorit të themelimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren kanë filluar punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Doda, e ndërtuar në shekujt XVIII-XIX, në qytetin e Prizrenit.

Marketing

Shtëpia e familjes Doda, është monument kulture dhe ndodhet brenda qendrës historike të Prizrenit, pranë Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në afërsi të disa shtëpive tradicionale në këtë zonë.

Kjo ndërtesë është simbol i arkitekturës tradicionale të banimit, me elemente karakteristike të cilat vërehen si në brendësi dhe në pjesën e jashtme të saj.

Karakteristike për shtëpinë është fasada ballore, e orientuar nga rruga, me një trajtim të lartë artistik, ku vërehen elemente të punuara me mjeshtëri nga e kaluara e hershme.

Punimet në këtë ndërtesë financohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.

Prizreni, qytet i lashtë historik pranë Lumëbardhit, nën shpatet piktoreske të Sharrit, është një ndër qytetet më të vjetra dhe me një histori të gjatë dhe të pasur. Gjatë periudhës Romake qyteti quhej Theranda, ndërsa gjatë kohës se Bizantit quhej Prizdrijana. Prizreni është qyteti më i pasur kosovar me monumente kulture.

Marketing