Prizren: Shpallen të vdekur rreth 400 persona të zhdukur

Një numër i personave të zhdukur para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumica nga fshati Krushë e Vogël, janë shpallur të vdekur në Prizren.

Marketing

Me kërkesë të familjarëve të tyre, Gjykata Themelore në këtë qytet që nga pas lufta ka shpallur 377 shqiptarë të vdekur, transmeton GazetaePrizrenit.net.

Pos Krushës së Vogël, e cila pësoi shumë nga tmerri i forcave ushtarake serbe gjatë luftës, pjesa tjetër janë nga lokalitetet tjera të kësaj ane, në të cilat pati veprime gjatë luftës.

Ata u takojnë të dyja gjinive, ndërsa mosha e tyre nis nga 14 vjeç e lartë, por ka pasur edhe raste të pleqërisë së thellë.

Njëra ndër arsyet kryesore që detyron familjarët për kërkesa të tilla është zgjidhja e çështjeve të ndryshme të trashëgimisë, pastaj pensioneve, nevoja për rregullimin e statutit martesor, etj.

Zyrtarja për informim e GJTH-së, Afërdita Kicaj, ka thënë për portalin GazetaePrizrenit.net se pos të zhdukurve, këtu bëjnë pjesë edhe persona, për jetën e të cilëve gjatë pesë vjetëve të fundit nuk ka pasur kurrfarë informatash, derisa mosha e tyre ka kaluar 65 vjet.

Sipas ligjit, një person shpallet i vdekur, nëse në afat prej tri vitesh nga dita e zhdukjes apo pas mbarimit të luftës, nuk ka kurrfarë informate apo lajmesh se ai është gjallë.

Kërkesën për shpalljen e një të zhdukuri si të vdekur kanë të drejtë ta bëjnë familjarët e tij apo edhe personat e tjerë, që kanë ndonjë interes nga kjo çështje si dhe vetë prokurori publik.

Nëna e një djali të zhdukur nga Hasi, tha se i është dashur ta nisë këtë procedurë, për shkak të prishjes së martesës së djalit të zhdukur, nusja e të cilit duhet ta rregullonte statusin e ri martesor.

Gjykatës në Prizren, me kusht anonimiteti thanë se ka pasur edhe raste të mospajtimeve në mes të familjarëve, rreth inicimit të këtyre procedurave.

Sipas ligjit, me një procedurë të shpejtë, vetëm me dëshminë e një dokumenti se i njëjti është gjallë, aktvendimi i mëparshëm për shpalljen e tij si të vdekur, shfuqizohet.

Marketing