Prof. Dr. Berton Sulejmani mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Studimet albanistike në Itali”, të cilën e organizoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Punimet e konferencës u zhvilluan më 22 dhe 23 tetor 2019 dhe morën pjesë me kontributet e tyre shkencore rreth 50 referues nga Kosova, Shqipëria, Italia, SHBA-ja, Franca, Bullgaria, Maqedonia e Veriut etj.

Prof. Dr. Berton Sulejmani e lexoi kumtesën e tij me titull “Françesko Altimari për habitoren e shqipes në kontekst ballkanik”. Veç studiuesve të njohur, vendës dhe të huaj, si: E. Çabej, I. Ajeti, S. Riza, Sh. Demiraj, B. Bokshi, K. Topalli, N. Jokli, A. Desnickaja, W. Fidleri, V. Fridmani etj., pa dyshim, në këtë mes, një vend të rëndësishëm zë edhe kontributi i Prof. Françesko Altimartit për të kryerën e “supozimit”, përkatësisht studimi i tij me titull “Vëzhgime për të kryerën e “supozimit” të arbërishtes dhe për formimin e habitores të shqipes”. Profesor F. Altimari në artikullin e tij për të kryerën e “supozimit” të arbërishtes, tezën e dytë për krijimin e habitores nën ndikimin e turqishtes në strukturën gramatikore të shqipes dhe gjuhëve sllave të Ballkanit, e kundërshton dhe mban qëndrimin e Fidlerit e që ky i fundit është i mendimit se habitorja është krijuar si pasojë e ndikimit të ndërsjellë në gjuhët e Ballkanit (gjuha shqipe në njërën, bullgarishtja e maqedonishtja në tjetrën anë).

Në fund, Prof. Dr. Berton Sulejmani, duke u mbështetur në studimet e Profesor Altimarit, pohon se habitorja nuk gjendet në asnjë nga 50 të folmet arbëreshe të Italisë, sepse në shekullin XV ka të ngjarë që kjo mënyrë e re ishte ende në rrugën e formimit dhe kështu e kryera e “supozimit”, në rrethin e sistemit foljor të arbërishtes do të përfaqësonte “bërthamën” e parë të kësaj mënyre të foljes, që u formua pastaj në shqipen e përbashkët përmes gramatikalizimit të ndërtimit analitik të së kryerës të përmbysur dhe zgjerimit të funksionit të papërcaktueshmërisë që është i rrënjosur në këtë kohë foljore.