Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik dhe UNICEF-i sot kanë paralajmëruar fillimin e projektit të ri, me të cilin nxënësit do të inkurajohen të marrin pjesë në detektimin e problemeve shoqërore dhe në gjetjen e zgjidhjeve kreative për tejkalimin e tyre.

Në nënshkrimin e memorandumit për zbatimin e aktiviteteve mori pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili me këtë rast tha se bëhet fjalë për zbatimin e programit të ashtuquajtur “UP SHIFT” – program ky që në kuadër të të cilit mësimdhënësit do të përdorin metoda dhe teknika mësimore moderne për të mësuar dhe zhvilluar shkathtësitë, me të cilat do të mësojnë të rinjtë, për t’u mundësuar të zhvillojnë kreativitetin dhe inovacionin e tyre në pjesën e sipërmarrjes shoqërore.

“Në praktikë, mësuesit nëpërmjet programeve të veçanta, që do të zbatohen në orë në lëndët që lidhen me inovacionet dhe sipërmarrjen, do të rrisin përgjegjësinë sociale të nxënësve, aftësinë për të detektuar vetë sfidat shoqërore dhe për t’u qasur ose bashkuar përpjekjeve për zgjidhjen e tyre nëpërmjet zhvillimit të projekteve të reja, respektivisht zgjidhjeve”, potencoi ministri Ademi.

Siç ka theksuar ministri Ademi, nxënësit do të kenë mundësi të organizohen në grupe dhe me propozim-projekte konkrete në fushën e sipërmarrjes sociale të aplikojnë për thirrje publike për sigurimin e mbështetjes mentoriale për tre muaj dhe mjete për implementimin e propozimit-projektit.

Në fund, ai u bëri thirrje mësuesve dhe nxënësve që të marrin pjesë në numër sa më të madh në zbatimin e kësaj mase, që për herë të parë realizohet në vend, në mënyrë që të arrihet efekti i dëshiruar.