Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se ka ndërmend që brenda 30 ditësh të ngrehë aktakuzë për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i cili dyshohet se ka penguar drejtësinë, ndërkaq mbrojtja e tij kërkoi lirimin me kusht.

Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se mbrojta e Gucatit ka parashtruar katër ankesa me shkrim për të kundërshtuar legjitimitetin e arrestimit dhe transferimit të Gucatit në paraburgim në Hagë. Gjyqtari kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që deri më 2 tetor t’i përgjigjen këtyre kërkesave të mbrojtjes.

“Prokuroria e Specializuar ka ndërmend të dorëzojë aktakuzën brenda një periudhe 30 ditore”, tha prokurorja Valeria Bolici.

Avokati i Gucatit, Jonathan Reese kërkoi lirimin me kusht të klientit të tij, duke paraqitur një sërë kushtesh që kreu i OVL të UÇK-së do të respektonte, nëse gjykata do të pranonte një gjë të tillë.

Ndër të tjerash, avokati Reese përmendi edhe një garanci prej 5 mijë eurosh, që Gucati të jetojë në një adresë të caktuar në Kosovë dhe të raportojë në policinë e EULEX-it.

Por, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se mbetja në paraburgim e Gucatit është e nevojshme pasi “ka motive” se ai mund t’i “shmanget drejtësisë”, por edhe të përsërisë veprat të cilat dyshohet se i ka kryer.

Gucati, sipas fletarrestim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara, dyshohet për pengim të drejtësisë përkatësisht “për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Gucati u arrestua në Prishtinë më 25 shtator nën dyshimet për pengim të drejtësisë. Ai u arrestua në zyrat e OVL të UÇK-së, në kohën kur Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu bastisje në këto zyra. Po të njëjtën ditë u arrestua edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, i cili po ashtu dyshohet se ka penguar drejtësinë.

Tri herë radhazi, OVL e UÇK-së mbajti konferenca për media ku u shpërndanë materiale që pretendohet se janë dokumente konfidenciale të Gjykatës Speciale.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj më 29 shtator ka bërë paraqitjen e tij të parë para Dhomave të Specializuara. Mbrojtja e tij kërkoi lirimin e menjëhershëm të Haradinajt nga paraburgimi, ndërkaq Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se shumë shpejt do të bëjë gati aktakuzën ndaj Haradinajt.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 24 shtator, Gjykata Speciale ka bërë arrestimin e parë në Kosovë. Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa është personi i parë që u arrestua dhe u transferua në Hagë. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për krime lufte. Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës, Mustafa nuk është deklaruar se nëse e ndjen veten të pafajshëm apo fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij.