Prokuroria Speciale do të kërkojë ekstradimin e Radojiçiqit

Prokuroria Speciale e Kosovës, pritet të kërkojë ekstradimin e Milan Radojiçiqit.
Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq është i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, raporton lajmi.net.

Marketing

Për të arrestuar Radojçiqin, policia e Kosovës më 23 nëntor kishte zhvilluar një aksion në banesën e tij në pjesën veriore të Mitrovicës, por Radojçiq nuk ishte gjetur në shtëpi.

Ai dy ditë më vonë u shfaq në publik nga Beogradi, ku tregoi se ndodhej në Serbi.

Që nga ajo ditë, Radojiçiq, po qëndron në Serbi dhe në deklaratat e tij, ai ka thënë se nuk është i përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Prokuroria Speciale e Kosovës, pritet të bëj kërkesë për ekstradimin e tij.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, i cili ka thënë se do të kërkohet ekstradimi i tij mirëpo, siç theksoi ai, së pari duhet ndjekur disa procedura të tjera ligjore.

“Po është e qartë që ka me u kërkua ekstradimi i tij. Por që ka procedura të mëhershme një herë. Por po kemi me i zhvillu të gjitha ato procedura çka kërkohen, krejt veprimet procedurale kemi me i ndërmarrë ne. Kemi me i ndërmarrë ne disa veprime, është pak herët për ato kemi me i ndërmarrë. Së pari duhet ti dërgojmë një ftesë, mandej duhet me e leshu një urdhër me kërkua prej Gjykatës jë urdhërarrest, kur të zinet ai në pikat kufitare apo kudo ai arrestohet e kështu me radhë. Janë disa procedura që ne do t’i përcjellim por krejt këto me kohë shkojnë”, ka shpejguar Hoxha për lajmi.net.

Tutje ai ka thënë se shkuarja e tij në Serbi ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht, por që para ekstradimit duhet të përfillen procedurat ligjore.

“Ato nuk janë të gjitha të konfirmuara. Ne duhet me i përfill disa procedura tjera, nuk shkon direkt e te ekstradimi, duhet t’i përcjellim të gjitha procedurat ashtu siç e parasheh ligji”, ka deklaruar Hoxha për lajmi.net.

Ekstradimin e Radojiçiqit e ka kërkuar edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Izmi Zeka.

Zeka ka thënë se Brukseli dhe shtetet e Kuintit duhet t’i bëjnë presion Beogradit që Milan Radojiçiqin ta kthejë në Kosovë, raporton lajmi.net.

Sipas tij, Kosova duhet të bëjë trysni që Serbia të mos përkëdhelet, por të shihet si aspekt i barabartë me shtet tjera e në këtë rast me Kosovën.

“Se çfarë ndikimi ka mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL tregon edhe fakti i fundit ku Millan Radojçiqi me dokumentacion të Kosovës, por edhe shtetas i Kosovës kalon në Serbi dhe nuk kemi kurrfarë reagimi ndërkombëtar. Unë nuk po prejudikoj vendimin e Gjykatës në Kosovë megjithatë mbete i dyshuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, ka shkruar Zeka në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ai ka thënë se Brukseli është ai që duhet t’i bëj Serbisë presion që Radojiçiqi të kthehet në Kosovë.

“Brukseli duhet të bëjë presion që Millan Radojçiqi ti kthehet organeve të drejtësisë së Kosovës. Absurditeti më i madh është kur një qytetar i Kosovës siç është Millan Radojçiqi të merret në pyetje nga organet e drejtësisë së Serbisë. Habit fakti se si nuk pati as edhe një reagim për mbrojtje të rendit dhe ligjit e po ashtu edhe për luftimin e krimit të organizuar por edhe njerëzve të dyshuar për vrasje çfarë është Radojçiqi. Efektet e mos anëtarësimit në INTERPOL po shihen edhe në këtë rast”, është shprehur Zeka, raporton lajmi.net.

Zeka e ka quajtur absurditet se si Serbia po e mban një shtetas të Kosovës, i cili dyshohet për përfshirje në një vrasje.

“Prandaj kërkoj nga shtetet e Kuintit dhe ShBA që ti bëjnë presion Serbisë që qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët dyshohen për vrasje apo edhe raste tjera ti kthen Kosovës. Para ligjeve të Kosovës të gjithë janë të barabartë”, ka shkruar Zeka.

Ndryshe, Oliver Ivanoviq, u vra në mëngjesin e 16 janarit të këtij viti para ndërtesës së partisë së tij, SDP në pjesën veriore të Mitrovicës.