Prokuroria Speciale, mazhoranca mbështet interpretimin autentik

Kuvendi edhe formalisht pranoi kërkesën për një interpretim autentik të nenit 22 të Ligjit për PSP-në, të dërguar nga prokurori publik i shtetit Ljubomir Joveski, por procedura mund të fillojë kur kryetari Talat Xhaferi të kthehet nga vizita në Shqipëri. Hapat e mëvonshëm njihen tashmë, sipas dispozitave të Rregullores së Kuvendit.

Marketing

Kryetari i Kuvendit e pranon kërkesën dhe e dërgon në Komisionin juridiko-ligjdhënës dhe në Qeveri

Komisioni juridiko-ligjdhënës mund të kërkojë mendim edhe nga komisioni amë, më pas bashkë me mendimin nga Qeveria, vlerëson nëse kërkesa është e arsyeshme.

Nëse është e arsyeshme, e dërgon në Kuvend ku: “Propozimi i interpretimit autentik miratohet me shumicën e njëjtë me të cilën miratohet ligji në të cilin jepet interpretimi autentik”

Duke marrë parasysh faktin se Ligji për PSP-në u miratua me shumicë prej dy të tretave, kjo do të thotë se do të nevojiten së paku 80 deputetë edhe për interpretimin autentik. Kjo, nga ana tjetër, do të thotë se përveç partive në pushtet, VMRO-DPMNE-ja ose grupi i pavarur i deputetëve që doli nga koalicioni i tyre, do të duhet të votojnë “Për”, që PSP-ja të vazhdojë me lëndët për të cilat nuk është parashtruar aktakuzë deri më 30 qershor të vitit 2017. Në pyetjet se si do të pozicionohen, Alsat nuk mori përgjigje as nga VMRO-DPMNE-ja, as nga grupi i pavarur parlamentar.

Heshtja nuk është befasi, nëse dihet se në lëndët “e reja” të Speciales cenohet prona e VMRO DPMNE-së e me këtë edhe një pjesë e deputetëve të pavarur. Nga ana tjetër, edhe pse në këtë korpus të lëndëve përfshihen zyrtarë të BDI-së, dy partnerët më të mëdhenj qeveritar indirekt paralajmërojnë se janë “Për” që Specialja të vazhdojë me hetimet e reja.

BDI angazhohet për sundimin e të drejtës dhe mbështet punën e paanshme të PSP-së”- thonë nga BDI.

Kjo nuk do të thotë fundi i PSP-së dhe hetimeve…drejtësi në Maqedoni patjetër të ketë dhe do të ketë”- thonë nga LSDM-ja.

Prokuroria publike e dërgoi kërkesën për interpretim autentik në Kuvend, me kërkesë paraprake të Gjykatës Penale të Shkupit. Kërkesa erdhi pasi Supremja me shumicë absolute prej 17 gjykatësve mori mendim parimor se PSP nuk guxon të ndjek dhe të ngrit aktakuza të reja pas 30 qershorit 2017. Në mesin e lëndëve që Specialja mund t’i humbas janë “Talir” kundër kryesisë së VMRO DPMNE, regjistrimin ku janë të përfshirë Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, por edhe “Monstra”./Alsat/

Marketing