Promoteri i Joshuas, Hearn konfirmon rimeçin me Ruiz Jr – zbulon edhe datat dhe vendet e mundshme

Anthony Joshua do të finalizojë rimeçin me Andy Ruiz Jr javën e ardhshme, ndërsa Madison Square Garden i New Yorkut dhe një numër vendesh britanike janë në shqyrtim për t’u zhvilluar kjo përballje ka thënë promoteri Eddie Hearn.

Marketing

Luftëtari britanik humbi titujt e tij në peshën e rëndë pas një humbje befasuese nga boksieri meksikan Ruiz Jr në New York më parë këtë muaj.

Promoteri i Joshuas, Eddie Hearn ka aktivizuar një klauzolë për të zbatuar një revansh të menjëhershëm, i cili do të mbahet në nëntor ose dhjetor.

Sipas tij, preferenca e tyre ishte që edhe njëherë të ‘luftojnë’ në Madison Square Garden, sepse Joshua dëshiron të “rishkruajë historinë”.

“Puna gjatë javës së ardhshme është vetëm për të finalizuar detajet tani se ku dhe kur do të ndodhë revanshi”, ka thënë fillimisht Hearn për Sky Sports News.

“Nuk mund t’ju them shumë, për shkak se unë nuk di tjetër përveç se, midis 16 nëntorit dhe 14 dhjetorit do të jetë data e ‘luftës’”.

“Kemi pasur oferta nga pesë vende të ndryshme për të zhvilluar meçin. Për mua, është një vendim i drejtë midis Britanisë së Madhe dhe Amerikës”.

“Në Britani të Madhe, po flasim me Cardiffin, Wembleyn, stadiumin e Tottenhamit dhe në Amerikë, kemi pasur disa vende, por preferenca jonë është Madison Square Garden”.

“Një njeri i ndjeshëm do të thoshte ta bëjmë në Britani të Madhe, por Anthony ndjehet sikur do të ishte e veçantë për të rishkruar historinë dhe për të fituar fitore në Madison Square Garden”, përfundoi promoteri i Joshuas.