Promovohen investimet dhe risitë në ITKSH

Sot Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup e vizitoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili bashkë me drejtorin e Institutit, Skender Asani, i promovoi arritjet më të fundit të këtij institucioni shkencor.
Ministri Ademi theksoi se veçmas gjatë këtyre dy viteve të fundit, në ITSHKSH ka pasur një zhvillim enrom pozitiv në më shumë drejtime, gjë që lirisht mund të thuhet se ka ndodhur një rilindje e vërtetë. “Sigurimi i pronësisë së ITSHKSH-së në objektin e ish-ambasadës amerikane në Shkup, është arritja më e madhe e këtij Instituti. Pas pritjeve mëse njëdekadëshe, më në fund ky institucion i lartë shkencor i shqiptarëve, u bë me shtëpi të vetë”, tha ministri Ademi. Sipas tij, MASH ka treguar interes të veçantë për këtë institucion shkencor edhe për faktin se është i vetmi në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili merret me hulumtime në çështjet e gjuhës, letërsisë, historisë, etnologjisë, folklorit e kulturës materiale dhe jomateriale të shqiptarëve në këto troje.
Ademi dhe Asani, bashkë me mediat, panë nga afër edhe investimet në aspekt teknik dhe hapësinor të Institutit, i cili është i pajisur me tekonologjinë e fundit për skanimin e dokumenteve të vjetra, pastaj ndërtimi i kapaciteteve të arkivit shkencor, ndërtimi i studios së re, sallës së konferencave me emrin e ish-presidentit amerikan “W.Wilson”, etj.
Drejtori Asani njoftoi se në kuadër të Sektorit të veprimtarisë hulumtuese shkencore, veprojnë departamente të veçanta të profilizuara, të cilat merren me studime për çështjet shqiptare dhe interferimet e tyre me popujt, kulturat dhe religjionet e ndryshme që na rrethojnë. Gjatë këtij viti, janë hapur edhe pesë departamente shumë të rëndësishme për hulumtimin dhe studimin e trashëgimisë tonë kulturore, të cilat ITSHKSH-në e ngritin në një qendër të rëndësishme të mirëkuptimit fetar dhe paqes së përhershme. Në departamentet e reja bëjnë pjesë: Departamenti për edukimin dhe hulumtimin e Holokaustit, Departamenti i trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, Departamenti i marrëdhënieve shqiptare – osmane, Departamenti i kulturës materiale, dhe Departamenti i Muzeologjisë. Në kuadër të këtij të fundit janë themeluar: Qendra Përkujtimore e Eksodit “Bllaca – 99” dhe Qendra e trashëgimisë së familjes Qiriazi.
Ministri Ademi i solli Institutit edhe vendimin e akreditimit të programit të ri studimor Kulturologjia, ku së shpejti do të hapet edhe konkursi për pranimin e studentëve të rinj të shkallës së magjistraturës.

Marketing
Marketing