Promovohet monografia “Radusha, qytezë nën hijen e historisë”

Promovohet monografia “Radusha, qytezë nën hijen e historisë”
(Gjurmëve të një monografie), e autorit Ekrem Ebibi

Marketing

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup
u bë promovimi i monografisë “Radusha, qytezë nën hijen e historisë” (Gjurmëve të
një Monografie), e autorit Ekrem Ebibi, i cili aktualisht është ambasador i
Maqedonisë së Veriut në Bosnjë – Hercegovinë.

Promovimin e përshëndeti drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe
Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, Dr. Skender Asani, i cili u shpreh se ka shumë
pak monografi për vendbanimet shqiptare si kjo për Radushën, andaj ITSHKSH-ja
në të ardhmen do të bëjë përpjekje konkrete dhe angazhime serioze që të prodhojë
sa më shumë monografi për qytetet e ndryshme, por edhe fshatrat shqiptare, duke
vjelë material arkivor nga terreni dhe duke e sistematizuar të njëjtin sipas
parametrave dhe standardeve bashkëkohore metodologjike shkencore.

Në fjalën e tij autori Ebibi theksoi se “Radusha, qytezë nën hijen e historisë”
(Gjurmëve të një monografie) si libër monografik doli në dritë falë
bashkëfinancimit të Shoqatës Kulturore Humanitare “Radusha” me seli në Berlin
dhe asaj në Radushë, U mundova të vë në spikamë historikun dhe ndodhitë
karakteristike për Radushën nga lashtësia deri më vitin 2000. Baza e monografisë
ishte gati po at vit, por fatkeqësisht nuk u jetësua.“

Më tej autori Ebibi u shpreh se "Nuk mund të flitet për Radushën pa
përkujtuar aspektin ekonomik, kulturor, edukativo-arsimor, sportiv dhe shëndetësor
që ofronte Xeherorja e Radushës. Udhëtimi në dimensionin kohor në hapësirat e
Radushës nga ata që e kanë përjetuar është mbresëlënës, inspirues dhe fascinues.
Përpos rëndësisë së arkivimit zyrtar të materialeve dhe dokumentacionit arkivor,
grumbullimi i materies shumëvjeçare në një dokument të veçantë, do të mundësoj
analizë të detajuar dhe objektive për punën e sistemit lokal dhe vendor, ndërsa për
gjeneratat e ardhshme jo vetëm që ofron dëshmi për njohjen e një periudhe aktuale
por edhe mundësi për kompilim historiografik të një monografie të plotë të pushtetit
në fjalë, respektivisht paraqet pretekst dhe provokim për një punim serioz
shkencor.

Ndërsa recensenti i kësaj vepre monografike, Dr. Sefer Tahiri në fjalën e tij u
shpreh se monografia përmban të dhëna mbi fiset dhe brezat ndër shekuj,por
përmban të dhëna edhe mbi krerët e Bashkësisë Lokale të Radushës, kontributi i të
cilëve që ky fshat të jetë më modern dhe me infrastrukturë të zhvilluar është për tu
vlerësuar lartë, ndër të cilët veprimtarë është edhe autori i monografisë, qoftë nga
pozicioni i Bashkësisë Lokale, qoftë nga pozicioni i Komunës së Kondovës, e cila
deri në vitin 2004 ishte njësi më vete e vetëadministrimit lokal.

Ekrem Ebibi si një ‘gjeolog’ hulumtues mëton të gjurmojë sa më thellë mbi
këtë vendbanim. Bëhet fjalë për vendbanim, i cili për kah shtrirja natyrore bart mbi
vete strukturën identitare të shqiptarëve, diversitetin që e rrethon, pluralitetin rajonal
identitar, por të padiskutueshën të njësuar etnokulturor. Kjo meqë Radusha ndodhet
në trekëndëshin identitar, e kufizuar me identitetin rajonal të shqiptarëve të
Pollogut dhe të Dërvenit të Shkupit, por edhe me atë të shqiptarëve të Kosovës,
duke qenë se ndodhet vetëm pak kilometra në afërsi të shtetit kosovar”, tha
Tahiri duke shtuar se libri i autorit Ebibi është një vepër shkencore që përmban të
gjitha tiparet e një monografie, pasi në faqet e saj sjell të kaluarën historike, të
lashtë dhe të afërt, duke i prezantuar periudhat e ndryshme historike përmes emrave
të përveçëm, pjesëmarrës aktiv dhe kontribues në cikle të ndryshme historike.

Marketing