Promovohet veprimtaria shkencore e albanologut Remzi Nesimi

????????????????????????????????????

– Manifestimi kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit të gjuhës shqipe”, nën organizimin e ITSHKSH-Shkup, dhe me mbështetjen e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, vazhdoi me aktivitetet e njëpasnjëshme, për nderë të festës së shkronjave shqipe.
Programi i sotëm iu dedikua një figure të shquar të shkencave filologjike, që dha një kontribut të madh për gjuhësinë shqiptare, drejtshkrimin e gjuhës shqipe, shkollën shqipe dhe arsimin sipëror – prof. dr. Remzi Nesimi. Ky personalitet i madh i shkencës shqiptare, sot u përkujtua përmes dy veprave konkrete, që sapo i ka botuar ITSHKSH-Shkup. Bëhet fjalë për edicionin SCUPI nr. 24, me temë: “Kontributi i prof. Remzi Nesimit për gjuhën shqipe dhe gjuhësinë shqiptare”, dhe për librin: “Remzi Nesimi – Për gjuhën shqipe”.
Në hapje të këtij aktiviteti, drejtori i Institutit, Skender Asani, përgëzoi departamentin e Gjuhës Shqipe për angazhimin e madh në organizimin e konferencës shkencore, botimin e materialeve të tij në “Scupi”, dhe botimin e përmbledhjes me veprimtarinë shkencore të prof.Nesimit.
Rreth veprimtarisë së gjerë botuese të Institutit, foli përgjegjësi Sevdail Demiri, ndërsa më pas referuan dhe dhanë vlerësimet e tyre profesorë e studiues të njohur të veprës së gjithmbarshme arsimore e shkencore të prof. Remzi Nesimit, si: Avzi Mustafa, Qemal Murati, Hidajete Azizi dhe Zeqirija Ibrahimi. Në emër të familjes së profesor Nesimit, u falënderua e bija Valbona Toska.
Manifestimi “Ditët e Alfabetit të gjuhës shqipe”, nesër vazhdon me promovimin e dy vëllimeve të veprave më të reja të prof. Xhevat Lloshit, që i kushtohen Gjergj Qiriazit në Kongresin e Manastirit.

Marketing