Rregullshmërinë e autobusëve të agjencisë turistike “Durmo Turs” është kontrolluar në ndërmarrjen “AMZ Gostivar”, e cila ka pronar të njëjtë. MPB për “Makfax” ka konfirmuar se kontrolli teknik i autobusit që u aksidentua dhe në të cilin humbën jetën 14 persona, është kryer në “Auto-moto Gostivar”, transmeton Portalb.mk.
Sipas informatave të Regjistrit Qendror, Durmish Beluli është pronar i “Durmo Turs” dhe i stacionit për kontrolle teknike “AMZ Gostivar”.

Durmish Beluli nuk ka dashur të japë deklaratë. Ai nuk u përgjigj në thirrjet telefonike as në porositë me shkrim lidhur me fatkeqësinë.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Transport, Rufat Huseini, thotë se nuk kanë kompetenca ndaj stacioneve për kontroll teknik.

“Në ligjin tonë nuk është rregulluar nëse një pronar mund të ketë edhe stacion për kontroll teknik dhe njëkohësisht të jetë transportues. Në ligj thuhet se gjatë kontrollit duhet të konstatojmë nëse automjeti është regjistruar dhe nëse është kryer kontroll teknik. Gjatë kontrollit të “Durmo Turs” kemi konstatuar se ka dokumente të tilla. Stacionet për kontrolle teknike janë nën kompetenca të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, deklaroi Rufat Huseini.

Ekipi i Inspektoratit dje ka dalë në vendin e ngjarjes, por për shkak të hetimit të Prokurorisë, nuk kanë bërë ekspertizë. Drejtori Huseini thotë se dokumenti nga kontrolli teknik duhet të qëndrojë në autobus si pjesë e dokumentimit obligues.

“Durmo Turs” ka 18 linja për transport ndërkombëtar dhe 36 vozitës të certifikuar.