Pronari i kompanisë Sekjurikom, Volfgang Gamper, ka ikur nga Maqedonia 10 ditë më parë. Jozyrtarisht austriaku u arratis pasi shteti ia bllokoi llogaritë e katër kompanive që i posedon në Maqedoni.

Tani për tani, nuk ka asnjë shpjegim se si u arratis për shkak se pasaporta e tij ishte konfiskuar, ndërsa Gamper paraqitej në gjykatë pas shqiptimit të masave të kujdesit. Gamper është akuzuar për bashkë-pjesëmarrje në kurdisje të tenderit 11 milionësh për pastrimin dhe sigurimin e qeverisë tre vjet më parë. Edhe këtë vit, Sekjurikom aplikoi në tenderin për pastrimin e ndërtesës së qeverisë, por Shërbimi për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta e s’kualifikoi atë.

Nga Sekjurikom më parë thanë se dyshojnë që biznesin disa milionësh për pastrim dhe siguri të qeverisë, do ta marrë një kompani e cila që në evoluimin e ofertave ka qenë konkurruese, sepse në dokumentacion, shërbimi për çështje të përgjithshme dhe të përbashkëta ka listuar një lloj makine të veçantë pastrimi, që e importon vetëm një kompani nga Shkupi.