Propozim-ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase, ITKSH me propozim

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, si institucionin i vetëm shkencor i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut që ka sektor të veçantë të Gjuhës shqipe, i cili merret me studimin e gjuhës standarde shqipe dhe të folmet shqipe në vendin tonë, duke e shfrytëzuar periudhën e debatit publik për Propozim-ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase, pas konsultimeve të bëra, deklarohet si më poshtë:
Propozim-ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase është një mundësi e mirë që të sanksionohet me ligj përdorimi i gjuhës maqedonase, duke i evituar keqpërdorimet dhe gabimet e përdorimit të saj në komunikimin publik. Po ashtu e përshëndesim edhe sanksionimin e shqiptimit të dënimeve për përdorimin e palicencuar (pa lekturë të redaktorit me licencë lektori) ose të gabuar të maqedonishtes në komunikimin publik.
Megjithatë, ndonëse edhe në pjesën hyrëse theksohet se nuk ka përplasje me ligje të tjera, ne i bëjmë thirrje propozuesit që të ketë kujdes që ky propozim-ligj të mos bie ndesh me Ligjin për përdorimin e gjuhëve (që i referohet gjuhës shqipe). Për këtë arsye, ne i kemi dy propozim-rekomandime:
1. Në nenin 5, alineja (2), derisa flitet për Strategjinë nacionale për avancimin e gjuhës maqedonase, po ashtu thuhet “задолжителното изучување на македонскиот јазик на сите степени во воспитно-образовниот процес” (mësim i detyrueshëm i gjuhës maqedonase në të gjitha shkallët e procesit edukativo-arsimor)

Marketing

Sipas nesh, mësimi i gjuhës maqedonase, që zhvillohet në arsimin fillor dhe të mesëm, është i mjaftueshëm për studentët e bashkësive të tjera etnike dhe konsiderojmë se mund të jetë ngarkesë, edhe materiale edhe financiare, që në çdo institucion arsimor të mësohet edhe maqedonishtja. Njohja e maqedonishtes, që mësohet në nivel të leximit dhe shkrimit gjatë 6 viteve të arsimit fillor dhe të mesëm mundëson përgatitje të mjaftueshme, që secili student në vendin tonë të ketë aftësi ta shkruajë drejt gjuhën maqedonase. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se çdo tekst i komunikimit publik do të kalojë nëpër lektorë të licencuar, edhe po të ndodhë që një person publik i bashkësive etnike të mos e shkruaj drejt maqedonishten, do të jetë aty roli i lektorit që do ta korrigjojë atë tekst.
Nisur nga kjo, propozojmë që ky nen të riformulohet kështu:
“задолжителното изучување на македонскиот јазик во основното и средното образование, а во високото образоваие да биде задолжително за студентите од македонска етничка припадност, како и изборен или факултативен за студентите од другите заедници во земјата;” (“mësimi i detyrueshëm i gjuhës maqedonase në arsimin fillor dhe të mesëm, ndërsa në arsimin e lartë të jetë mësim i detyrueshëm për studentët e përkatësisë etnike maqedonase dhe mësim zgjedhor ose fakultativ për studentët e bashkësive të tjera etnike”).

2. Në nenin 7 të këtij propozim-ligji thuhet: “На јавните настани што се организираат во Република Северна Македонија, а се финансираат со средства од Буџетот на Република Северна Македонија, задолжително се употребува и македонскиот стандарден јазик.” (“Në ngjarjet publike, që organizohen në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa financohen nga mjetet e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, detyrimisht përdoret edhe gjuha standarde maqedonase”).

Ne gjykojmë se përkufizimi i këtillë nënkupton se edhe në mjediset ku jetojnë bashkësitë etnike, në rastet kur zhvillohen aktivitete që financohen nga buxheti i shtetit, ato duhet të jenë “edhe në gjuhën maqedonase”. Duke pasur respekt për gjuhën maqedonase si gjuhë zyrtare në vend, mendojmë se imponimi i saj edhe në rastet kur zhvillohen aktivitete të bashkësive etnike dhe ku mund të mos ketë asnjë përfaqësues të bashkësisë etnike maqedonase është një detyrim i tepërt dhe jofunksional, aq më shumë që në atë mënyrë ndërlikohen ngjarjet publike, rriten shpenzimet për shkak të nevojave të përkthimit dhe, rrjedhimisht, është jopraktike. Rrjedhimisht, propozimi ynë është që në vend të pikës (.), të vihet presje (,) e pastaj të vazhdojë: “, освен во средините со мнозинско граѓани од другите етнички заедници, кои зборуваат различен јазик од македонскиот јазик“ (“, pos në mjediset ku shumicën e qytetarëve e përbëjnë bashkësitë që flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja”).

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve konsideron se ligjet duhet t’i shërbejnë mirëqenies së qytetarëve dhe kohezionit ndëretnik dhe nuk duhet të prodhojnë animozitet dhe mosbesim. Për këtë arsye, shpresojmë se sugjerimet tona do të pranohen në këso fryme dhe ato do të shërbejnë për avancimin e marrëdhënieve ndëretnike në vendin tonë.

Marketing