Propozimi me zëvendësministrat deri në fund të javës në Kuvend, përgatitet edhe seancë për komisione kuvendore

Këto ditë duhet të dihet përbërja e komisioneve kuvendore. Bëhen përgatitje për seancën në të cilën do të zgjedhen, ndërsa deri në fund të muajit do të emërohen edhe personat udhëheqës në të gjitha institucionet nën kompetencë të pushtetit ekzekutiv. Zëvendësministrat, sipas paralajmërimeve, duhet të dihen deri në fund të kësaj jave.

Marketing

“Bëhen përgatitje për seancën e re në të cilën do të zgjedhen komisionet kuvendore. Nuk shoh kurrfarë problemi dhe mendoj se kjo do të zgjedhet këto ditë”, deklaroi dje deputeti Izet Mexhiti nga radhët e BDI-së.

Duke u përgjigjur në pyetjen e anëtarëve pas ndarjes së çmimeve “8 Shtatori”, Mexhiti tha se LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja do të udhëheqin me tetë komisione kuvendore, BDI-ja me tre, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me dy.

“Kryetari i Kuvendit do të udhëheq me Komisionin kushtetues, BDI-ja do të udhëheq edhe me Komisionin për shëndetësi, ndërsa dilema është nëse do të udhëheq edhe me Komisionin për arsim”, theksoi Mexhiti.

Kryeministri Zaev, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, paralajmëroi se deri në fund të shtatorit të emërohen të gjithë personat udhëheqës të të gjitha institucioneve nën kompetencë të pushtetit ekzekutiv, ndërsa deri në fund të javës ka për qëllim t’i dorëzojë deri te Kuvendi edhe propozimet për zëvendësministra.

“Dua pas festës, më së voni deri në fund të javës, t’i dorëzoj propozimet në Parlament, ndërsa më tej ai të vendosë kur do ta caktojë seancën. Tashmë fillojmë së bashku me ministrat t’i caktojmë edhe sekretarët shtetërorë sepse kjo është një fushë specifike ku ka kushte të posaçme ligjore. Besoj se deri në fund të shtatorit do t’i emërojmë ose do t’i ripërtërijmë me pozicione udhëheqëse të gjitha institucionet të cilët drejtpërdrejt janë nën pushtetin ekzekutiv”, deklaroi dje Zaev.

Tha se shumica në Parlament është e qëndrueshme dhe se me politika dhe dialog të mirë pret që kjo vetëm të rritet, e jo të bjerë. Një pjese të deputetëve, siç paralajmëroi, planifikon t’u ofrojë vende udhëheqëse në shtet.

“Besoj se ditëve në vijim, Kuvendi do të bëjë verifikimin e mandatit të deputetit të ardhshëm në listën pas Jagoda Shajpanskës që koalicioni i formuar prej 62 deputetëve ta konfirmojmë plotësisht. Kam për qëllim që një pjese të deputetëve të cilët janë zgjedhur t’u ofroj vende udhëheqëse në shtet ashtu që në mënyrë të vazhdueshme në pajtim me ligjin deputetët e ardhshëm në listë të hyjnë në Parlament”, tha Zaevi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve

Marketing