Protesta në Butel! I punësuari në Komunë fyen shqiptarët

Sharje dhe ofendime ndaj shqiptarëve ka drejtuar sot një i punësuar në Komunën e Butelit në Shkup.

Marketing

Në një status në Facebook, të cilin për shkaqe etike nuk po e publikojmë, ai ka sharë dhe përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, e konkretisht ndaj BDI-së pasi që konsideron se kjo parti ka nisur fushatë me baza etnike.

Pas kësaj pasuan protesta para Komunës së Butelit. Një grup qytetarësh u mblodhën përballë objektit komunal për të dënuar gjuhën e urrejtjes dhe kërkuan nga Kryetari ta largojë të punësuarin nga Komuna.

“Protestojmë për gjuhën e urrejtjes që e ka përdorur njëri ndër njerëzit e afërt të Kryetarit të Komunës dhe po ashtu i punësuar në Komunën e Butelit. Kjo komunë është multietnike dhe e di fort mirë se me votat tona të shqiptarëve i është mundësuar të jetë kryetar komune. Në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen, ne besojmë se do të kemi kandidatin tonë, që do të jetë shqiptar dhe do të drejtojë me këtë komunë” tha për TV21 protestuesi Naser Ahmeti.

Kryetari i Butelit, Velimir Smilevski e ka dënuar aktin e të punësuarit dhe është distancuar nga qëndrimet e të njëjtit.

“Ashpër e dënoj mendimin e mikut tim dhe të punësuarit, në lidhje me ofendimet që i ka shkuar në statusin në Facebook ndaj bashkëqytetarëve tanë. Qëndrimet e mikut tim nuk janë qëndrimet e mia dhe në mënyrë kategorike distancohem nga të njëjtat” ka shkruar Kryetari Smilevski në Facebookun e tij.

Marketing