Protestë kundër guroreve, banorët e Llabunishtës në protestë(Video)

Këto bukuri natyrore të fshatit Jabllanicë po rrezikohen. Nga vendbanimi Strizhak, me ujë furnizohen Jabllanica, Boroveci dhe Llabunishta, prej të cilëve varen 15.000 banorë. Makineritë tashmë një kohë të caktuar po punojnë në guroren e re, që paraqet rrezik për pastërtinë e ujit, por edhe për mjedisin jetësor. Pikërisht për këto arsye, banorët e ngritën zërin dhe e bllokuan rrugën rajonale Strugë-Dibër.

“Këtu te ne është tmerr. Në një vendbanim me 10.000 banorë kemi 6 gurore aktive. Na shkatërruan. Në mëngjes mbi veturat ka pluhur dhe askush nuk merr përgjegjësi. A kanë sado pak ndërgjegje pronarët e këtyre guroreve se i helmojnë edhe fëmijët tanë, edhe neve”, deklaroi një banor i fshatit Llabunisht.

Thonë se nuk do të heqin dorë lehtë. U bëjnë thirrje funksionarëve qeveritarë që t’i vizitojnë tani, e jo vetëm në periudhën parazgjedhore duke kërkuar vota.

“Nuk do të ndalemi me kaq. Nëse nuk ka rezultate, përsëri do të organizohemi dhe do të dalim në numër sa më masive. Protestat e ardhshme nuk do të jenë të qeta, do të jenë më radikale”, u shpreh Alim Salloski, kryetar i Shoqatës Naura-Llab.

“Më duket se tani do t’i vijë fundi. Nëse jo në mënyrë të qetë, me forcë do t’i ndërpresim…. Duhet ta ndalojmë këtë”, theksoi një tjetër banor.

Ata ankohen se kanë edhe probleme shëndetësore.”Ka mjekë të cilët e konfirmojnë këtë. Ka rritje të shpejtë të numrit të të prekurve nga kanceri. Pas vitit 2013, të gjithë që kanë ndërruar jetë ishte shkaku i kancerit në mushkëri”, tha një banor tjetër.

Kërkojnë nga ministritë kompetente, përkatësisht nga Qeveria, në afat më të shkurtër të rishqyrtohen vendimet dhe të prishen koncesionet për të gjitha guroret. U bëjnë thirrje publikisht ministrive kompetente dhe kryeministrit Zaev, të vijnë në vendngjarje dhe të binden se çka ndodh në terren. Nga Ramiz Merko kërkuan të tregojë dhe të vërtetojë në cilën mënyrë është dhënë leja e integruar B nga ana e Komunës së Strugës. Nga kompania e cila e mori koncesionin, kërkojnë që t’i tërheqë makinat. Përndryshe, ky rajon ka rreth 18 mijë banorë. Për momentin në mënyrë aktive punojnë 8 gurore. Nëse nuk ndërmerret asgjë, banorët frikësohen se do të mbeten pa ujë të pijshëm.