Protestuesit sudanezë bëjnë thirrje për mosbindje ndaj pushtetit

Lëvizja pro-demokratike sudaneze, e cila i ka organizuar protestat kundër pushtetit ushtarak në këtë shtet afrikan, ka bërë thirrje për mosbindje gjithëkombëtare ndaj qeverisë, disa ditë pas shtypjes së kryengritjes nga ushtria, ku dhjetëra njerëz u vranë.

Marketing

Aktivistët bënë thirrje që kjo mosbindje të fillojë nga e diela dhe të vazhdojë deri në ardhjen në pushtet të një qeverie civile. Thirrja erdhi pas arrestimit të tri figurave opozitare që u takuan me kryeministrin e Etiopisë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve të paqes.

Protestuesit e kanë refuzuar ofertën për bisedime nga Këshilli Ushtarak Kalimtar, i cili aktualisht është duke e udhëhequr Sudanin. Ky grup erdhi në pushtet pasi e rrëzoi presidentin Omar al-Bashir.

Ushtria ka premtuar se do t’ia dorëzojë pushtetin një qeverie civile, por të hënën e shtypi në mënyrë të dhunshme një protestë në Khartoum, duke lënë të vdekur disa njerëz.

Politikani opozitar, Mohamed Esmat, u arrestua të premten pas takimit me kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed. Vendndodhja e tij aktualisht nuk dihet, ndërsa analistët thonë se këto arrestime dëshmojnë se përpjekjet për ndërmjetësim nuk janë marrë seriozisht nga ushtria, shkruan “BBC”.

Marketing