Pse kandidatura e Blerim Rekes asht – karikatureske!

Sa dëm mund t’i bëjnë vetes Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, nuk ka aparat që mund ta masë! Budallakia jonë politike nuk paskësh fund! Mbetëm se mbetëm axhami politik, për pikë qejfi të lloj-lloj vet-kënaqurish, të vet-begenisurish, dhe masturbuesish gojor … të cilët dalin në mejdan-politik me paturpësi, pamoral, panderë, … dhe na e shumëzojnë energjinë sociale dhe politike me zero. Paturpësisht me një lehtësi kot-na-koti e zhvatin ose e zhbëjnë interesin tonë publik në interes personal apo të xhepit. Kjo na bën ta hamë marren me bukë! Bash kur na duhet mobilizimi i votës, na del ndonjë baksuz-patriot, dhe na e harxhon energjinë sociale në kumar politik.

Marketing

Allo, a s’është xhynah i Zotit, në çaste vendimtare politike për të gjithë ne, të del një kandidat hajgarexhi dhe ta tallë këtë popull të hutuar, me një slogan qesharak, hutaq, dhe bajat: Reka – republika!!!

Kushdo qoftë që e ka frymëzuar, ose e ka iniciuar këtë kandidaturë karikatureske … duhet t’i vjen turp dhe xhynah për çdo qenie njerëzore të këtij vendi!

Këto zgjedhje presidenciale ishin një rast i mirë, një rast i kaq-pritur, në një kohë kur fryma politike është e volitshme për mobilizimin e votës së Shqiptarëve të Maqedonisë së veriut, për ta dëbuar nga posti i Presidentit një baksuz – shqiptarofobë siç është ky. Këto zgjedhje presidenciale janë rast i mirë, për mobilizim të votës qytetare në Maqedoninë e veriut për t’i rënë një grusht të fuqishëm të gjitha nacionalizmave në vendin tonë; dhe të hapet rrugë për shkrirjen e akullit mes nesh; dhe përfundimisht të nis ngjizja e kohezionit shoqërorë, midis etnive, grupeve, qytetarëve që i mungon kësaj shoqërie si oksigjeni.

Unë plotësisht jam dakord dhe pajtohem me dy dushmanët e mi politikë Alinë dhe Menduhin. Dhe i përgëzoj me përulësinë më të madhe për këtë akt politik për kandidatin konsensual. Këta të dy për herë të parë kanë marrë një vendim politik të dobishëm për qytetarët Shqiptarë dhe për të gjithë qytetarët në Maqedoninë e Veriut. As që kam nge të analizoj se pse, si, e qysh e bëjnë më në fund një vepër politike të dobishme, këta dy liderë të harxhuar dhe të çjerrë nga koha si opingat e rahmetli Mixhës Adem nga Sellca e Keqe.
Për herë të parë veprojnë politikisht siç e kërkon fryma e kohës! Për herë të parë arritën një konsensus politik për të mirën e interesit publik! Dhe kjo duhet nderuar dhe përshëndetur me respektin më të thellë. Konsensusi politik është vegla dhe arma politike e domosdoshme në demokraci për një shtet funksional dhe të mirëqenë. Ndonëse arrihet me vështirësi dhe me sakrifica në politikë, por është kënaqësi e veçantë të ruhet dhe të përparohet interesi publik. Më në fund ky është sukses për të gjithë qytetarët.

Vota e Shqiptarëve të Veriut duhet të mobilizohet dhe të ngjeshet për kandidatin Stevo Pendarovski. Stevo është i dobishëm politikisht për ne, jo Blerim -republika. Ky është edhe një shans i duhur për ta treguar peshën specifike të votës së qytetarëve shqiptarë në vendin tonë. Prandaj, duhet shpërfillur “kandidati shqiptarë”, qëllimi i të cilit është vetëm interes personal dhe përçarës, që nuk i sjell asnjë dobi politike qytetarëve. Përfundimisht qytetarët duhet ta dallojnë interesin personal dhe interesin publik. Vota për kandidatin konsensual Stevo Pendarovski është votë për interesin publik; në daç edhe votë kundër bandës nacional-shoviniste të ikanakut Gruevski.

Kandidatura e Blerim Republikës është hileqare, për shkak se synimin e vetëm e ka që ta pengojë fitoren e Pendarovskit qysh në rrethin e parë; e kjo arrihet me ndihmën e madhe të votës së shqiptarëve, sikur të mobilizohej nga të gjitha palët. Duket ashiqare se, dikujt i pengon që vota e shqiptarëve ta përcaktojë dhe të vendos për presidentin e ardhshëm konsensual të Maqedonisë së Veriut.

Vota e shqiptarëve ka domethënie dhe peshë, në raundin e parë; ndërsa në raundin e dytë e humb peshën specifike dhe vlerën e shtuar. Dikush qëllimisht përpiqet ta zhvleftësojë këtë peshë të veçantë të votës sonë. Këtë veprim hileqarë politik e kemi hasur dhe për fat të keq e hasim akoma në aksionin politik. Askush nuk mund të më bind të kundërtën. Po, demokracia i garanton të drejtën e çdo qytetari që të votojë dhe të votohet; por, në rastin siç janë këto zgjedhje, duhet të mbështetet kandidati Stevo Pendarovski, dhe të votohet unanimisht dhe në masë, për t’i dhënë një grusht të fuqishëm nacionalizmave tanë shkatërruese dhe rrënuese të demokracisë dhe shtetit.

Shaqir Islami