Pse mori pjesë në takime derisa ka pritur rezultate për Kovid-19, tregon Dimitrievski

Kryetari i Komanovës i infektuar me Kovid-19, Maksim Dimitrievski ka dhënë përgjigje për pyetjet e shumta që kanë qarkulluar në publik e që më kryesorja ishte: Pse mori pjesë në takime derisa ka qenë duke pritur rezultate?

Marketing

“Meqë testimi i parë ishte negativ para dy javësh, kurse ne nuk kishim asnjë simptomë, më së paku kemi pritur që testi do të jetë pozitiv nga anëtarët e Shtabit. Por, dukshëm kontaktet e mëdha me njerëzit në përpjekje për të zgjidhur të gjitha problemet në qytet me Kovid-19, ka sjellë deri te ajo që pesë anëtarë të Shtabit komunal të dalin pozitiv në teste dhe të gjithë nga institucione të ndryshme”, tha Dimitrievski.

Ai gjithashtu ka sqaruar publikun, se takimi i realizuar me përfaqësuesit qeveritar nuk ka qenë i realizuar me ftesën e tij, por me kërkesë të Qeverisë. Ndërkaq ka shtuar se të gjithë e kanë ditur se anëtarët e Shtabit të krizës në Kumanovë në vazhdimësi e kontrollojnë shëndetin e tyre.

“Takimi në Kumanovë me përfaqësues qeveritar nuk ka qenë e realizuar me ftesën time, por me kërkesë të Qeverisë. Informacioni se në vazhdimësi po bëhet kontrolli shëndetësor i personave të shtabit të krizës është publike dhe e dinë të gjithë anëtarët e Shtabit dhe institucionet e Ministrisë së Shëndetësisë në nivel lokal”, tha më tej Dimitrievski, njofton TV21.

Dimitrievski ka shtuar se në asnjë moment nuk ka lejuar të rrezikojë shëndetin e ndokujt me sjelljen e tij dhe ka njoftuar se rezultatet e testeve të cilat për të dytën herë janë bërë për tërë Shtabin e krizës, anëtarët shoqërues dhe personat e angazhuar nga rajonet e rrezikuara i kanë pritur 5 ditë.

Ai ka shtuar se për shkak të këtyre shkaqeve ka kërkuar që Kumanova të izolohet për dy javë dhe ka thënë se situatën faktike dhe lëshimet sistematike eventuale le t’i verifikojë hetimi.

Ka kërkuar që kjo çështje të mos bëhet temë debati, pasi në këto momente duhet të koncentrohemi për ta mundur epideminë.

Marketing