Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup (PTHP) së bashku me ekipe inspektuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme bënë inspektim në vendin në komunën Çair ku sot dy persona humbën jetën gjatë gërmimit të tokës.

“Fatkeqësia kishte ndodhur pasi ishin bërë gërmime në një ndërtesë banesore afër rrugës “Resenska” me qëllim vendosjen e gypave të kanalizimit. Katër persona, babai, dy djemtë dhe një afërm i tyre, duke gërmuar në afërsi të parkingut, i kishin lëvizur pllakat e begatonit dhe kishin gërmuar një gropë për vendosjen e gypave. Në momentin kur në gropë ishin tre personat, kishte rrëshqitur një pjesë e dheut e cila ishte rreth gropës, dhe kishte rënë mbi dy personat. Nga lëndimet e shkaktuara, vëllezërit, e moshës 26 dhe 28 vjeç kishin ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Personi i tretë, një i afërm i tyre i cili ishte me ta në gropë ka marrë lëndime të lehta trupore”, informojnë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.

Në drejtim të zbardhjes së rastit dhe konfirmimin e shkak-pasojave në lidhje me fatkeqësinë dhe vdekjen e dy vëllezërve, shtojnë, prokurori publik ka dhënë urdhër për grumbullimin e të dhënave në lidhje me ekzistimin e lejes për punë për gërmimin e gropës, në lidhje me investitorin, si dhe me kontraktuesin. Është dhënë edhe urdhër për kryerjen e autopsisë për trupat e të vdekurve. Në vendin e ngjarjes ishin ftuar edhe persona zyrtarë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

Veprimet të cilat ndërmerren nga Prokuroria Themelore Publike Shkup do të vazhdojnë në vazhdimësi deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.