Publikohen detajet e bisedës Trump-Zelensky, çfarë kërkoi Presidenti për kundërshtarin politik

Shtëpia e Bardhë publikoi detajet e bisedës telefonike mes presidentit Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas që nxiti hetimet për shkarkimin e kreut të administratës amerikane. Ato tregojnë se Trump i ka kërkuar vertët Volodymyr Zelensky, në 25 korrik, që të hetojë kandidatin demokrat, Joe Biden, djali i të cilit pat punuar për një firmë ukrainase gazi.Më herët, presidenti amerikan kishte premtuar një zbardhje të plotë, të deklasifikuar dhe të paredaktuar të bisedës që nxiti demokratët të kërkojnë “impeachment-in“ e tij.
Trump dëgjohet aty duke i thënë Zelensky-t sesi Biden, si zëvendëspresidenti i SHBA-së, kishte lobuar në 2016-tën që Ukraina të pezullonte kryeprokurorin e saj, Viktor Shokin. Zyra e Shokin, sipas tij, kishte hapur një hetim ndaj Burisma-s, një kompani e gazit natyror në të cilën Hunter Biden ishte anëtar bordi.
“Ka shumë fjalë për djalin e Bidenit“, ka thënë Trump, duke shtuar se: “thuhet që Bideni ndaloi ndjekjen penale dhe se shumë njerëz duan të dijnë se cfarë ka ndodhur, ndaj cdo gjë që mund të bëni më prokurorin e përgjithshëm, do të ishte e shkëlqyeshme“, ka shtuar ai.
Të dhënat për këtë bisedë dolën nga një informator dhe bënë që një valë ligjvënësish demokratë të njoftonin mbështetjen për procesin e shkarkimit të Presidentit nëpërmjet hetimit në Kongres. Ligjvënësit demokratë thonë se kjo është një krizë e sigurisë kombëtare që duhet t’i shqetësojë të gjithë amerikanët, megjithëse shumica e tyre nuk e mbështesin procesin e shkarkimit.

Marketing