Publikohet audio inçizim i ri, VMRO-DPMNE: Pushteti e Ruskovska po e zvarrisin rastin “Zhvatje”

Në një kanal anonim në YouTube, janë publikuar Shtatë audio regjistrime të reja, ku dëgjohet një zë që i ngjan biznesmenit Orce Kamçev.

Marketing

Regjistrimet tregojnë sesi Kamçev thotë se ai mund të lëshojë “bomba” si Kim Jong dhe ta sjellë Mickoskin në pushtet, dhe se më të mençur në 30 vitet e fundit kanë qenë Ljupço Georgievski dhe Branko Cërvenkovski, të cilët janë ulur dhe janë dakorduar.

Prokurorja Vilma Ruskovska thotë se regjistrimet nuk janë pjesë e dëshmive në rastin “ZHVATJE”, të cilin ajo e udhëheq, ku Orce Kamçev është dëshmitar. Por VMRO-DPMNE përmes një komunikate me shkrim akuzon se pushteti dhe prokurorja Ruskovska po e zvarrisin procedurën për rastin “Zhvatja”.

Nga VMRO-DPMNE pyesin se ku ka përfunduar çanta prej 1.5 milionë eurove, a është financuar fushata e LSDM-së dhe e Pendarovskit me këto para, cilët biznesmenë kanë qenë viktima dhe sa para gjithsej janë marrë si haraç.

“Pushteti po fsheh diçka. Çfarë ka kërkuar ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në një nga takimet mes Boki 13 dhe viktimës?”, pyesin nga VMRO.

Nga kjo parti poashtu theksojnë se Janeva nuk ka marrë 50.000, por 350.000 euro dhe se çanta ka udhëtuar nëpër shumë lokacione.

“Ruskovska ikë nga e vërteta. Për arsye se nuk dëshiron të hetojë se ku ka shkuar çanta. Ruskovska po e zvarrit hetimin për shkak se e din se pas ‘haraçit’ qëndrojnë krerët në pushtet”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.

Marketing