Punojnë verës, migrojnë vjeshtës!

Tendencat e grupeve të emigrantëve për të arritur në vendet e BE-së përmes Maqedonisë së Veriut nuk kanë të ndalur as gjatë muajit shtator. Të dhënat zyrtare të organeve hetuese tregojnë se vetëm gjatë javëve të kaluara, janë zbuluar mbi rreth 200 raste. Njohësit e zhvillimeve me çështjen e emigrantëve thonë se është e natyrshme që gjatë kësaj periudhe të ketë numër të shtuar të grupeve të emigrantëve që mundohen të arrijnë deri në territorin serb. Mersiha Smailoviq nga Shoqata “Legis”, për gazetën KOHA, shprehet se migracioni është një çështje e cila nuk përfundon asnjëherë.

Marketing

“Sa i përket zhvillimeve të fundit me emigrantët mund të them se gjatë shtatorit çdoherë janë shtuar lëvizjet e grupeve të emigrantëve përgjatë territorit të Maqedonisë së Veriut. Një pjesë e caktuar e emigrantëve periudhën e verës e shfrytëzojnë për të fituar mjaftueshëm të holla, qoftë nga turizmi në Greqi, apo plantacionet në Turqi. Me këto mjete ato nisen drejtë Evropës. Përfundimisht edhe ne kemi konstatuar se është shtuar numri i emigrantëve në vendin tonë. Megjithatë, kjo nuk është si rezultat i deklaratës së presidentit turk Erdogan, i cili tha se do ti hapë kufijtë për emigrantët. Rreth 5 milion refugjat sirian qëndrojnë në Turqi, ndërkohë analizat dhe të dhënat tona flasin se emigrantët që tentojnë të futen në Maqedoninë e Veriut, kryesisht janë Pakistani, India apo Bangladeshi. Pra, bëhet fjalë për një strukturë krejtësisht tjetër nga ajo e refugjatëve që ekziston në Turqi. Në rastet e fundit ka shumë pak emigrantë nga Siria apo Iraku. Ditë më parë u zbulua rreth 90 emigrantë, dhe të gjithë ishin nga vendet si Pakistani, India e Bangladeshi”, tha Smailoviq.
Ndryshe, ajo thekson se emigrantët e kanë pranuar porosinë e Bashkimit Evropian, se politika e tyre rreth çështjeve të azilit është tejet rigoroze. Për këtë arsye, siç shprehet Smailoviq, kemi rënie të numrit të emigrantëve. Muajve të kaluar në brigjet greke është regjistruar rritje e numrit të emigrantëve. Një situatë e ngjashme mbizotëron edhe në brigjet e bregdetit italian.

Praktikë e zakontë e autoriteteve policore të Maqedonisë së Veriut është që, pasi të kapen grupet e emigrantëve, të njëjtit t’i kthejë në territorin grek. Kështu ndodhi edhe me grupin e fundit prej 81 emigrantë që u zbulua në afërsi të fshatit Çerkez të Kumanovës. Krahas këtij rasti, gjatë ditës së mërkurë njësi të Ministrisë për Punë të Brendshme kanë zbuluar edhe një grup prej shtatë emigrantësh të cilët ilegalisht ishin futur në vendin tonë. Kontrollet rutinore të organeve policor kur jemi te çështja e emigrantëve, jo rrallë herë dinë të shndërrohen edhe në aksidente komunikacioni ku mbesin shumë të lënduar.

Një rast i tillë ndodhi edhe muaj më parë. Diçka e ngjashme u përsërit edhe javën e kaluar, ku mbetën të lënduar dy emigrantë nga Afganistani. Shkaktar kryesor të këtyre aksidenteve janë trafikantët e emigrantëve. Në momentet që zbulojnë se policia i përndjek, trafikantët po thuajse asnjëherë nuk ndalojnë. Dënimet e larta me burg dhe frika për t’u arrestuar janë shkaku kryesor se pse nuk ndalojnë në thirrjet e policisë. Kësisoj, përpos që e rrezikojnë jetën e tyre, ata e rrezikojnë jetën edhe të dhjetëra emigrantëve, të cilët për arsye të ndryshme dëshirojnë të arrijnë në vendet e BE-së. (koha.mk)

Marketing