Putin kërkon ndryshime kushtetuese në Rusi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e shfrytëzoi fjalimin vjetor drejtuar kombit për të bërë thirrje për ndryshime të mëdha kushtetuese, që do të rrisnin kompetencat e parlamentit, përpara përfundimit të mandatit të tij, më 2024.

Marketing

Duke iu adresuar Asamblesë Federale, Putin tha se Kushtetuta e Rusisë, e vitit 1993, duhet ndryshuar, për t’i dhënë Dumës Shtetërore, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit, të drejtën për të emëruar ministrat e kabinetit dhe kryeministrin.

Këto kompetenca aktualisht i takojnë presidentit.

Putin po ashtu tha se Rusia duhet të mbetet “republikë e fuqishme presidenciale”.

“Presidenti duhet të ruajë të drejtën për të përcaktuar detyrat dhe përparësitë e qeverisë, si dhe të drejtën për të shkarkuar kryeministrin, zëvendësat e tij dhe ministrat federalë, në rast të moskryerjes së detyrave ose humbjes së besimit”, tha Putin.

Ai po ashtu tha se duhen ashpërsuar kushtet për t’u bërë president dhe se çdo president i ardhshëm duhet të ketë jetuar në Rusi për së paku 25 vjet dhe të mos ketë ndonjë shtetësi të huaj.

Vladimir Putin dhe skandalet gjatë 20 vjetëve në pushtet
Putin, 67 vjeç, ka dominuar politikën ruse për dy dekada, duke shërbyer herë si president, herë si kryeministër nga viti 1999.

Në vitin 2018, ai është rizgjedhur president për një mandat të ri 6-vjeçar.

Me ligjin aktual, ai do të duhet të tërhiqet pas përfundimit të mandatit.

Marketing