Putin: Rusia do të prodhojë raketa, por nuk do t’i vendosë ato

Presidenti Vladimir Putin tha sot se Rusia do të prodhojë raketa, të ndaluara në bazë të marrëveshjes bërthamore të epokës së Luftës së Ftohtë që skadoi muajin e kaluar, por se Moska nuk do t’i vendosë ato me kusht që Shtetet e Bashkuara të mos e bëjnë më herët një gjë të tillë.

Marketing

Duke folur në një forum ekonomik në Lindjen e Largët, Putin tha se ishte i shqetësuar për vendosjen eventuale të raketave amerikane në Japoni dhe Korenë e Jugut, pasi sipas tij, kjo do të përbënte një kërcënim për pjesën më të madhe të territorit të Rusisë.

“Nëse raketat amerikane vendosen në Japoni ose Korenë e Jugut, ne e kuptojmë se kjo do të bëhet për të balancuar kërcënimet e mundshme nga Koreja e Veriut, por kjo do të krijojë disa probleme të konsiderueshme për ne,” tha Putin.

Ai tha se ato sisteme raketash ka të ngjarë të arrijnë caqe në një pjesë të konsiderueshme të territorit të Rusisë, përfshirë Lindjen e Largët.

Uashingtoni muajin e kaluar u tërhoq nga Marrëveshja për shkatërrimin e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër, duke akuzuar Rusinë për shkeljen e marrëveshjes, të cilën kjo e fundit e mohon.

Marketing