Një punonjës spitali i akuzuar se ka munguar në punë për 15 vjet duke marrë rrogë të plotë, është mbiquajtur ‘mbreti i mashtruesve’ në Itali.

Burri 67 vjeçar është paguar një total €538,000 megjithëse nuk është paraqitur në punë në spitalin Pugliese Ciaccio në qytetin jugor të Catanzaro prej vitit 2005.

Mediat vendase e kanë emëruar atë si Salvatore Scumace dhe raportohet se ka qenë në spital vetëm një herë, ditën e nënshkrimit të kontratës së punës.

Scumace po hetohet tashmë për abuzim me detyrën, mashtrim dhe zhvatje në kushte të rënduara, ndërsa gjashtë drejtues të spitalit janë arrestuar si të dyshuar se kanë ndihmuar mashtrimin afatgjatë.

Besohet se Scumace, punonjës civil, nuk ka ardhur në punë prej vitit 2005 pas një konflikti me ish-shefin e tij. Policia thotë se kishte kërcënuar drejtoreshën e spitalit për ta ndaluar që ajo të depozitonte ankesën disiplinore.

Por pas daljes së saj në pension, pasuesit nuk kontrolluan kurrë punën e personit, duke e lejuar të vazhdonte të merrte rrogën e plotë pa u paraqitur.

Arrestimi është pjesë e një hetimi të gjerë kundër manipulimeve në sektorin publik në Itali, pas disa skandaleve të korrupsionit e nepotizmit ose të zyrtarëve “fantazmë” që manipulojnë vazhdimisht sistemin.

Në 2015, policia zbuloi se 75% e punonjësve të këshillit bashkiak në San Remo, nuk shfaqeshin në punë. Një roje sigurie që jetonte në ambientet e këshillit kalonte kartat e tyre në shënjuesen e orarit për të kompletuar skemën e manipulimit.