Fillimi i riparimit të çatisë në spitalin e dializës në Strugë assesi të filloj. Kanë kaluar rreth dy muaj pasi më 14 tetor u firmos marrëveshja me kompaninë për realizimin e punimeve, por intervenimi ende s’ka filluar. Dhe, përderisa drejtori Aleksandar Poposki për Alsat thotë që nuk ka arritur materiali ndërtimor, hapësira nuk është rrethuar, nuk ka punëtorë, nga ana tjetër ministri Venko Filipçe pohon që punëtorë ka. Por, në vendngjarje nuk ndodh asgjë konkrete.

Sipas informatave të mija, ka punëtorë që i bëjnë vlerësimet e para. Besoj që në periudhën e ardhshme, në mënyrë më intensive do të punohet pasi afati i realizimit është gjashtë muaj- deklaroi Venko Filipçe- ministër i shëndetësisë.

Derisa përgjegjësit japin qëndrimet e tyre, spitali mbushet me ujë me reshjet më të vogla të shiut. Nëntë dhomat më kritike janë mbyllur ndërsa pacientët janë akomoduar nëpër dhoma tjera.

Shpresoj të fillojnë sa më shpejtë, të paktën ato pjesë që i kemi të rrezikuara se do të riparohen dhe të përfundojnë. Çdo ditë, shërbimet kontrollojnë gjatë reshjeve të shiut, çdo ditë janë në çati që mos të ndodh si herën e kaluar- deklaroi Aleksandar Poposki- drejtor i Qendrës së dializës, Strugë.

Për momentin, s’ka asgjë as nga paralajmërimet pompoze të pushtetit lokal dhe atij qendror për ndërtimin e spitalit të ri të përgjithshëm në Strugë. Objektet në spitalin ekzistues janë në gjendje të keqe. Në dy spitalet e Strugës, përveç pacientët e rajonit të Strugës, shërohen pacientë nga pjesa jugperëndimore e vendit dhe Shqipëria.