Qeveria: Bartja e pajisjes mbrojtëse në hundë dhe gojë, e obligueshme!Ndalohet grupimi i më shumë se dy personave

Qeveria sot kumtoi se mbeten të vlejnë masat për mbrojtje personale, respektivisht bartja e obligueshme e pajisjes mbrojtëse (maskë, facoletë ose shall) në gojë dhe hundë, në të gjitha objektet publike, si institucionet shtetërore, marketet, shitoret, bankat, postat, transporti publik, dhoma të pritjes, institucione shëndetësore, e tjerë.

Marketing

Bartja e pajisjes mbrojtëse është e obligueshme edhe në ambiente të hapura, çdoherë kur nuk mund të mbahet distanca minimale prej dy metrave mes qytetarëve.

Pajisja mbrojtëse nuk është e obligueshme për qytetarët, të cilët qëndrojnë në oborr të shtëpisë familjare, qarkullojnë me bicikletë ose bëjnë stërvitje në ambient të hapur, (por me mbajtje të obligueshme të distancës prej dy metrave), nëse udhëtojnë me automjet me persona, të cilët jetojnë së bashku, si dhe nëse gjenden në ambient të hapur ku mund të mbajnë distancë prej dy metrave.

Për mosrespektimin e Dekretit për bartjen e pajisjes mbrojtëse, prej datës 30 prill janë paraparë dënime dhe atë: 20 euro në kundërvlerë të denarit për personat fizikë, ndërsa për kompanitë ku nuk respektohet masat për bartjen e pajisjes mbrojtëse për të punësuarit dhe vizitorët është paraparë dënim prej 2.000 eurove në kundërvlerë të denarit.

Qeveria informoi se në fuqi është edhe ndalesa për grupimin e më shumë se dy personave në sipërfaqe publike, me ç’rast në grup prej dy personave nuk numërohen fëmijët nën 14 vjeç të atyre personave. Ky përjashtim vlen vetëm për terminet kur lejohet lëvizja e personave të rinjë, jashtë orës policore.

“Ministria e Punëve të Brendshme, intensivisht bën kontrolle të respektimit të urdhërave dhe vendimeve të miratuara nga Qeveria dhe çdo mosrespektim do të sanksionohet në pajtim me normat ligjore”, kumtoi pres shërbimi i Qeverisë.

Marketing