Deputetët e pozitës dhe opozitës me propozim-ligj të caktuar do të ua shlyejnë borxhet e vjetra qytetarëve.

Sot, VMRO-DPMNE me mbështetje edhe të LSDM-së dhe BDI-së, dorëzuan në Kuvend propozim-ligj për fshirjen e kamatave për borxhet e energjisë elektrike, shërbimeve komunale, telefonike, kabllore e të tjerë.

Nëse votohet, do përfitojnë rreth 200 mijë qytetarë. Fshirja e kamatave dhe borxheve për përmbarim është për borxhet e vjetra deri në vitin 2011. Kushti për t’u fshirë borxhi është pagesa e borxhit themelor, pa kamatat dhe harxhimet e përmbarimit, që shpesh herë tejkalojnë shifrat e harxhimeve themelore.

“Bëhet fjalë për periudhë nga dorëzimi i fletëpagesës, shlyerja të vlejë deri në ditën e pagesës, që do të thotë lirim i tërësishëm nga pagesa e normës së interesit. Lidhur me shpenzimet e përmbarimit propozohet zvogëlim prej 50%, që gjithashtu është shumë e konsiderueshme dhe këto dy faktorë deri më tani ishin arsyeja për mijëra qytetarë me borxhe pa fajin e tyre t’u nënshtrohen shpenzimeve të larta në bazë të normës së interesit”,- tha Panço Minov nga VMRO-DPMNE.

“Për të gjitha institucionet kreditore të cilat janë të themeluara nga Qyteti i Shkupit, nga komunat, për to në ligj qartë qëndron se do të shlyhet norma e interesit dhe norma e interesit me ndëshkim. Do të thotë se kemi dy lloj borxhlinj. Disa që atë do ta bëjnë në bazë vullnetare, ndërsa ato janë kreditorët privatë, siç është EVN dhe kreditorë para së gjithash për shërbime komunale”,- u tha nga LSDM.