Qeveria do t’i japë fund titujve “pezull” të pronësisë

Qeveria ka hartuar një projektligj, i cili synon ti japë fund titujve të pronësisë në prona me status të paqarte ose të përfshira në vite në proces të përfitimit të titullit.

Ministria e Drejtësisë e cila ka hartuar projektligjin sqaron se qëllimi është krijimi i bazës ligjore të thjeshtuar dhe të harmonizuar, për përfundimin proceseve administrative të trajtimit të pronës së paluajtshme të shtetit dhe pronës private, duke përcaktuar rregullat për:

1-Ligjërimin e titujve të pronësisë të dhënë sipas akteve ligjore dhe nënligjore, për tokën bujqësore;

2-Ligjërimin dhe regjistrimin në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme për ndërtimet pa leje, objektet dhe trojet funksionale kur mungojnë aktet e fitimit të pronësisë, si dhe për oborret në përdorim;

3-Rregullimin e marrëdhënieve të pronësisë në territoret e cilësuara si “zona të stimuluara me përparësi zhvillimin e turizmit”;

4-Inventarizimin dhe përditësimin e pronave të paluajtshme të qeverisjes qendrore dhe vendore, si dhe transferimin e tyre;

5-Kalimin e të drejtës së pronësisë mbi trojet e pa privatizuara të ndërtesave të privatizuara, ndërtesave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore dhe të ngritura në bazë të lejeve të ndërtimit, pas datës 10.8.1991 si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore;

6-Trajtimin ligjor të problemeve të krijuara si pasojë e gabimeve materiale, parregullsive në zbatimin ligjit;

7-Harmonizimin e procedurave dhe të strukturës organizative shtetërore për përfundimin e procesit të njohjes dhe kompensimit të pronës sipas parashikimeve të ligjit 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Burimi: monitor.al