Qeveria e Libanit ka dhënë dorëheqje

Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Hamad Hassan ka njoftuar se qeveria e vendit ka dhënë dorëheqjen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Në një prononcim për media, Hassan tha se pas mbledhjes së sotme të kabinetit, të gjithë ministrat dorëzuan dorëheqje te kryeministri Hassan Diab.

Ai theksoi se kryeministri do të shkojë në pallatin presidencial për t’ia dorëzuar dorëheqjet presidentit Michel Aoun.

Hasani rikujtoi se disa ministra kishin dhënë dorëheqje ditët e fundit pas shpërthimit të fuqishëm në kryeqytetin Bejrut, duke shtuar se ky vendim erdhi pas presion të madh publik.

Protesta masive po zhvillohen në të gjithë Libanin pas katastrofës së shkaktuar nga shpërthimi shkatërrues në portin e Bejrutit javën e kaluar.

Dy shpërthime të fuqishme tronditën portin e Bejrutit të martën, pasi një zjarr shpërtheu në një depo në të cilën u ruajtën 2.750 ton nitrat amoniumi. Të paktën 158 njerëz humbën jetën dhe rreth 6.000 të tjerë u plagosën, ndërsa rreth 300.000 njerëz mbetën pa kulm mbi kokë.