Qeveria e Maqedonisë nga java e ardhshme me përbërje të re

Kuvendi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme pranoi propozimin për ministrat e rinj të Qeverisë. Pritet që seanca për reformimin e Qeverisë të mbahet më 1 qershor, kur është edhe përvjetori i zgjedhjes së qeverisë aktuale të Maqedonisë, e udhëhequr nga Zoran Zaev.

Ministrja e deritanishme e arsimit, Renata Deskoska është propozuar për ministre të drejtësisë, kurse ministër i arsimit do ngelet Arbër Ademi, nga radhën e BDI-së, i cili deri më tani ishte zëvendës ministër në këtë dikaster. Për ministër të kulturës është propozuar Asaf Ademi nga radhët e Besës, ndërsa si ministër pa portofol është propozuar Bardhyl Dauti nga PDSH, shkruan MIA.

Propozimi i qeverisë pasditen e sotme pritet të publikohet në ueb faqen e Kuvendit.

Gjatë ditës së djeshme dolën informacione se kush do të jenë zëvendësministra në disa dikastere. Në vend të Arbër Ademit, në arsim zëvendës ministër do të propozohet deputeti i LSDM-së, Petar Atanasov, ndërsa si zëvendës ministër në Ministrinë e punëve të jashtme përmendet emri i ish kryetarit të komunës Qendër, Andrej Zhernovski. I lirë është edhe vendi i zëvendësministrit të shëndetësisë.

Kryeministri Zoran Zaev dje deklaroi për media se propozimet janë dorëzuar, por nuk precizoi se kur do të bëhet zgjedhja e anëtarëve të rinj të Qeverisë.

evn