Kabineti qeveritar gjerman vendosi për një projektligj, i cili krahas opsionit “mashkullor” dhe “femëror” për gjininë e njeriut parashikon edhe opsionin “i ndryshëm”.

Koalicioni i madh në pushtet në Gjermani zbaton në këtë mënyrë një vendim të Gjykatës Kushtetuese gjermane të vitit 2017.

Sipas këtij vendimi, sistemi aktual shihet si shkelje e së drejtës së personalitetit dhe e ndalimit të diskriminimit të përcaktuara në Ligjin Themelor (Kushtetutë). Deri në fund të 2018-ës, ndryshimi ligjor duhet të jetë vënë në jetë, njofton Dojçe Vele.

Ministrja e Drejtësisë, Katerina Barlej (SPD) tha për këtë se “modernizimi i ligjit për gjendjen civile është një hap që duhej të qe bërë prej kohësh”. Asnjë njeri nuk lejohet të diskriminohet për shkak të identitetit të tij seksual. Me opsionin shtesë “i ndryshëm”, njerëzve të cilët nuk ndihen se i përkasin një gjinie “u jepet pak dinjitet dhe identitet pozitiv”.
Hapi tjetër, tha ministrja Barlej është eleminimi me shpejtësi i rregullave të tjera jo aktuale, si për personat ndërseksualë, ashtu edhe për ata transseksualë. Sipas ministres Federale të Familjes, Franciska Gifej (SPD), në vjeshtë do të nisë në Gjermani procedura për reformimin e ligjit për transseksualët.

Ekspertizave me detyrim për identitetin gjinor të njerëzve “thjesht u ka ikur koha”. Gifej e bëri të qartë se të gjithë njerëzit duhet të kenë mundësi ta jetojnë identitetin e tyre seksual dhe orientimin e tyre seksual të lirë dhe ta përcaktojnë vetë atë.