Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim së shpejti do të ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme. Qeveria miratoi propozim-ligjet për formimin e Agjencisë për Siguri Kombëtare e cila do të zëvendësojë organin e deritanishëm famëkeq për ndjekjen e përgjimeve të jashtligjshme. Agjencia e re do të funksionojë si organ në vete.

Ndryshimet që janë paraparë në propozim-ligjin për Agjencinë për Siguri Kombëtare kanë për qëllim që të shkëpusin Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim që deri tani funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme me qëllim që të bëjë dekoncentrimin e fuqisë së koncentruar institucionale në kuadër të MPB-së.

Inspektorët e Agjencisë për Siguri Kombëtare nuk do të kenë autorizime policore por thjeshtë do të mbledhin informacione të karakterit informativ- deklaroi Agim Nuhiu, zv.ministër i Brendshëm.

Janë parashikuar mekanizma monitorimi për punën e Agjencisë me qëllim që të shmangen keqpërdorimet e deritanishme. Organi i ri do të ketë po ashtu të drejtën e përgjimit edhe pa ndërmjetësimin e Agjencisë Teknike Operative, e cila muaj më parë u formua pikërisht për këtë qëllim.

Agjencia nuk do të ketë të drejtën e përgjimit në kuptimin që ka Agjencia teknike operative sepse një gjë e tillë është rezervuar në mënyrë ligjore dhe institucionale për ATO-në. Agjencia për Siguri Kombëtare do të ketë të drejtën për të shfrytëzuar mjete teknike operative gjatë realizimit të aktiviteteve nga veprimtaria e përcaktuar me ligj. Bëhet fjalë për veprime operative aty për aty që duhet të zbatojë ASK-ja- theksoi Agim Nuhiu, zv.ministër i Brendshëm.

Drejtori i Agjencisë do të duhet të ketë të paktën 15 vjetër përvojë pune, prej të cilave të paktën pesë në pozita drejtuese, kurse zv.drejtori i saj do të duhet të ketë të paktën dhjetë vjet përvojë pune, të paktën katër në pozita drejtuese. Është paraparë edhe dispozitë e cila parashikon përfaqësim të drejtë etnik në të gjitha nivelet e hierarkisë. Agjencia për Siguri Kombëtare duhet të fillojë me punë në qershor.

Qeveria i dha dritë jeshile edhe formimit të Këshillit koordinues për njësitë e sigurisë dhe zbulimit i cili do të drejtohet nga kryeministri kurse anëtarë do të ketë disa ministra dhe drejtorët e organeve të shërbimeve të sigurisë. Propozimet gjatë javës së ardhshme do të futen në procedurë parlamentare.