Qeveria pranoi tre principet e VMRO-së për Prokurorinë Speciale

Pas refuzimeve disaditore, Ministria e Drejtësisë ka lëshuar pe dhe ka pranuar që të implementojë tre principet e vendosura si kusht nga VMRO-DPMNE në procesin negociues për ligjet reformuese dhe Prokurorinë Publike.

Marketing

Në njoftimin me shkrim, Ministria e Drejtësisë njofton se do të vijojnë bisedimet me partitë politike për përpilimin e tekstit të ligjeve dhe se mbështetja për Ligjin e Prokurorisë Publike është kyçe për bisedimet me Bashkimin Evropian.

“Ligji i cili është në procedurë parlamentare i implementon të gjitha standardet të cilat kanë të bëjnë me sferën e prokurorisë publike dhe nënkuptojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat e forcojnë pavarësinë, neutralitetin, llogaridhënien dhe efikasitetin e luftës kundër kriminalitetit nga ana e prokurorisë.

Përcaktimi për mbrojtjen e këtyre principeve nuk është vetëm përcaktim i Ministrisë së Drejtësisë por edhe Republikës së Maqedonisë së Veriut që buron nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe aspirata për anëtarësim në BE.

Gadishmëria për zhvillimin, por edhe për implementimin e plotë të këtyre parimeve, të cilat janë të numëruara edhe në letrën e VMRO-DPMNE-së, nuk është vetëm obligim i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, por duhet të jetë edhe angazhim dhe obligim i të gjitha partive politike orientimi i të cilave është integrimi evropian”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Nga VMRO-DPMNE këtë vendim e kanë quajtur si fitore të tyre në betejën për drejtësi dhe prokurori të pavarur. Zëdhënësi i kësaj partie, Naum Stoilkovski, tha se Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria përfundimisht pranuan principet dhe hoqën dorë nga tendenca për siç u shpreh ai, një prokurori të kontrolluar nga pushteti ekzekutiv.

“Ministria e drejtësisë pas disa ditëve njoftoi se i pranon tre parimet nga VMRO-DPMNE që u vendosën si bazë mbi të cilën do të bisedohet për krijimin e tekstit të ligjit për prokurorinë publike. Të nderuar, është mirë që ministria mbrëmë pranoi se i ka evituar të gjitha dokumentet ndërkombëtare që shpiejnë drejt prokurorisë bashkëkohore, jo partiake dhe të guximshme që do të punojë në mbrojtjen e qytetarëve mbi bazën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe se vërrejtjet e VMRO-DPMNE-së janë pikërisht në atë drejtim.

Me pranimin e tre principevce të vendosura nga VMRO-DPMNE, Zoran Zaev dhe Renata Deskoska pranuan se nuk bëhet fjalë për keqpërdorim nga ana e opozitës, por përkundrazi për keqpërdorimin e tyre nga pozita e fuqisë për sjelljen e një ligji që nuk ngjason në shtet evropian dhe ligj mbi të cilin do të ngritej prokurori në shërbimit të pushtetit ekzekutiv”, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoilkovski.

Ky vendim i Ministrisë së Drejtësisë vjen vetëm një ditë pas deklaratave të pushtetit se do të negociojë drejtpërdrejt me deputetët për të siguruar shumicën prej 80 votave dhe pas takimit që kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, takoi tetë deputetët e përjashtuar nga partia e tij pesë muaj më parë dhe tek të cilët pushteti shihte shpresat për të siguruar shumicën në rast të mos arritjes së marrëveshjes me opozitën.

Marketing