Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria ka marrë një vendim për të rritur pagat e mësimdhënësve dhe ka bërë thirrje që të ndërpritet greva.

Ai pas një takimi me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn, ka dalë në një koferencë për media ku bëri të ditur këtë vendim, njofton Klan Kosova.
“Ka ndodhur një rritje substanciale e pagave është e përkrahur edhe nga ministri i Financave dhe ai qëndron pas këtij vendimi”, tha Haradinaj.

Rritja e pagave do të jetë kjo:
“Në shkolla të mesme nga523 euro në 597.8 euro, rritja është 74 euro nga paga aktuale, ndërsa numri i mësimdhënësve është rreth 5000 për arsimin e mesëm.

Për arsimin fillor është nga 479 euro në 525.8,rritja është 46 euro, ndërsa numri i mësimdhënësve është 15 mijë
Në arsimin parashkollorr 474 euro në 501.9, rritja është 54 euro.

“Nëse flasim për 30 mijë mësimdhënës i bie që Qeveria e Kosovës e ka respektuar grevën dhe ka ra dakord për 20 milionë euro pagash për arsimin”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, Rrahman Jasharaj nuk është paraqitur për media dhe as nuk ia ka konfirmuar kryeministrit se e pranon ofertën.
Haradinaj tha se rritje tjetër nuk mund të ndodhë dhe ka kërkuar që të mos ketë më shumë presion dhe se mësimi duhet të fillojë nga nesër.