Qindra fluturime drejt Greqisë / Mbërrijnë me mijëra turistë. Nga Ballkani nuk lejohen vetëm ata nga Shqipëria dhe Kosova

Pasi Greqia ka hapur dyert e saj të premten për fillimin e sezonit turistik të vendit me synim dyfishimin e numrit të vizitorëve dhe të ardhurave nga viti 2020, në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës dhe 13 aeroporte të tjera Greke kanë mbërritur më shumë se 200 fluturime në këtë fund jave .
Vetëm në 4 ishuj në jug të Egjeut, përfshirë Mykonos, mbërritën të shtunën 32 fluturime ndërkombëtare kryesisht nga Suedia, Gjermania dhe Katari, ndërsa edhe Korfuzi, në detin Jon, mirëpriti vizitorë nga Gjermania dhe Franca.

Greqia kërkon të lërë pas vitin e kaluar kur pandemia frenoi turistët ,numri i të cilëve nuk kaloi 7 mln nga rekordi prej 33 mln që mbërritën në 2019,ndërsa dhe të ardhurat vitin e kaluar ishin vetëm 4,1 mld euro,gati çereku i të ardhurave të vitit 2019.

Marketing

Athina shpreson që sa më shpejt edhe Britania, vendi i dytë për turistë në Greqi, të heqë karantinën për vizitorët e saj, gjatë javëve të ardhshme kur autoritetet do të kenë kryer vaksinimin e gjithë ishujve grekë,ndërsa pretendohet që në korrik të arrihet rreth 70% vaksinim për gjithë grekët mbi 18 vjeç.

Të premten , pas karantinës më të gjatë në BE , Greqia ka lehtësuar shumicën e masave kufizuese, midis tyre edhe udhëtimet ndërmjet rajoneve të saj dhe mijëra greke janë dyndur drejt ishujve apo shtëpive në fshat duke krijuar radhë të gjata në porte apo në rrugët nacionale dhe duke shijuar të ashtuquajturën -fundjavën e parë të lirisë.

Turistët e huaj lejohen të hyjnë në Greqi nëse janë vaksinuar ose me testin negativ molekular, ndërsa lejohen edhe turistët nga Ballkani,përveç Shqipërisë dhe Kosovës përkohësisht, që kanë kryer vaksinat kineze apo ato ruse. Gjithashtu prej të premtes u rihapën në gjithë vendin edhe muzet dhe vendet arkeologjike.

Greqia shpreson të jetë destinacion i sigurt për turistët e huaj në përpjekjen për të ringjallur turizmin, sektori kyç i ekonomisë së saj edhe për arsyen se pandemia pritet të çojë borxhin publik këtë vit, deri në 209% të PPB.

 

Marketing