QMBI apelon për fushatë të qetë

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI), me rastin e fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen më 21 prill 2019, u bën thirrje kandidatëve për kryetar shteti, partive politike që mbështesin kandidatët, si dhe çdo faktori tjetër të kyçur në këtë fushatë, që të zhvillojnë fushatë zgjedhore të qetë e demokratike.

Marketing

Kërkojmë nga kandidatët për kryetar shteti dhe subjektet politike, që të respektojnë kodeksin e nënshkruar nga vet ata për zgjedhje të drejta dhe korrekte, në mënyrë që si i tillë i njëjti të reflektojë edhe në terren gjatë kohës së fushatës.

Meqë Republika e Maqedonisë së Veriut është në pritje të datës për fillimin e negociatave me BE, vendim ky i cili është i lidhur ngushtë edhe me mbarëvajtjen e zgjedhjeve presidenciale, i ftojmë pjesëmarrësit në këtë fushatë zgjedhore që të ruhen nga gjuha e urrejtjes, ndarjes dhe konfliktit, nga gjuha e largimit nga qëllimet tona strategjike si shtet.

Bëjmë thirrje që në këtë fushatë zgjedhore të mbisundojë fryma evropiane dhe demokratike.