Quçuk: Marrëveshja Zaev-Ahmeti në një vijë me pritjet e partnerëve evropianë

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Quçuk në një intervistë ekskluzive për gazetën KOHA thotë se marrëveshja për Qeverinë e re mes Ahmetit dhe Zaevit përshtatet me pritjet e partnerëve Evropian. Ai thekson se theksi i marrëveshjes në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është mbresëlënës. Ndërsa, sa i përket mos njohjes së rezultateve zgjedhore nga opozita shqiptare dhe maqedonase, Quçuk thotë se Maqedonia e Veriut zhvilloi zgjedhje të ndershme dhe të ligjshme, ndërsa apeloi që betejën politike ta bëjë në Parlament. Ai pret që Këshilli Evropës së shpejti të miratojë tekstin përfundimtar të kornizës së bisedimeve, pa vonesa shtesë, në mënyrë që të thërret konferencën e parë ndërqeveritare. Quçuk në intervistë flet edhe për kontestin historik mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, si dhe për “luftën” evropiane me Covid-19

Marketing

Intervistoi: Destan JONUZI

KOHA: Z.Quçuk, cilat janë pritjet tuaj nga Qeveria Zaev-Ahmeti?

QUÇUK: Përkundër shumë pritjeve, një marrëveshje për formimin e Qeverisë së re u arrit në një periudhë të shkurtër kohore, dhe deklaratat e bëra nga Zaevi dhe Ahmeti në prezantimin e marrëveshjes së koalicionit janë në një vijë me pritjet e partnerëve evropianë. Përkatësisht, vazhdimi i reformave në rrugën e vendit drejt BE-së. Theksi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është gjithashtu mbresëlënës.

KOHA: Opozita shqiptare në Maqedoni, paralajmëron bojkot të institucioneve. Si e shihni ju këtë veprim të tyre?

QUÇUK: Unë besoj se Republika e Maqedonisë së Veriut zhvilloi zgjedhje të ndershme dhe të ligjshme në një situatë jashtëzakonisht të vështirë të një pandemie globale. Qytetarët e vendit ushtruan të drejtën e tyre politike për të vendosur se kush do ta drejtonte Maqedoninë e Veriut nëpër fazat thelbësore të negociatave komplekse të pranimit në BE. Nga përvoja personale me Bullgarinë, mund t’ju them se gjatë gjithë këtij procesi opozita mund të luajë një rol shumë konstruktiv dhe pozitiv, por jo duke bojkotuar institucionet demokratike.

KOHA: Në anën tjetër, edhe VMRO-DPMNE konsideron se Qeveria Zaev-Ahmeti nuk është legjitime. Çfarë duhet të bëjë opozita që mos pengohet rrugëtimi i Maqedonisë drejt BE-së?

QUÇUK: Është e qartë se qytetarët dëshirojnë të lidhin të ardhmen e vendit me Bashkimin Evropian. Ne e pranojmë këtë fakt dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë të mbështesim Parlamentin dhe qeverinë e sapozgjedhur, përfshirë kontakte të vazhdueshme me opozitën. Institucionet funksionale, veprimet e të cilave monitorohen nga afër nga një opozitë e përkushtuar, janë të nevojshme për të drejtuar vendin drejt rimëkëmbjes nga pandemia dhe për të ndjekur reformat, në vend që të dëmtojnë të ardhmen e saj.

KOHA: Së shpejti pritet hapja e kapitujve me Bashkimin Evropian! A ka kapacitet Maqedonia e Veriut ti përmbushë obligimet që burojnë nga to?

QUÇUK: Shpresoj që Këshilli i Evropë të miratojë tekstin përfundimtar të kornizës së bisedimeve pa vonesë, në mënyrë që të thërret konferencën e parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur. Maqedonia e Veriut ka kaluar një rrugë të gjatë dhe e meritoi me sukses këtë. Unë besoj se një nga detyrat e para të Qeverisë së re është të përgatit një udhërrëfyes për anëtarësim në bazë të një konsensusi të gjerë politik në vend.

KOHA: Maqedonia dhe Bullgaria, edhe pse kanë një marrëveshje për fqinjësi të mirë, ato përsëri kanë konteste të caktuara mes tyre, historike e kulturore. Mundet Bullgaria të paraqitet si pengesë në rrugëtimin euro-atlantik të vendit?

QUÇUK: Marrëveshjet historike me Bullgarinë dhe Greqinë janë në qendër të së ardhmes evropiane të Maqedonisë Veriore, ato theksojnë rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në të gjithë kontinentin evropian. Bullgaria dhe Maqedonia Veriore janë dy vende fqinje, miqësore që kanë një të kaluar të përbashkët dhe duan të ndajnë të ardhmen e përbashkët në BE. Bullgaria vazhdimisht ka qenë pro anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në NATO dhe BE.

KOHA: Cilat janë hapat konkret nga të dyja palët që mund të ndihmonin tejkalimin e kontestit mes tyre?

QUÇUK: Shpresoj që pasi Qeveria e re të nis të funksionojë, Komisioni i përbashkët historik i krijuar do të rifillojë punën e tij dhe së shpejti do të shohim rezultate konkrete. Komisioni duhet të ketë një mandat politik jo detyrues, mbi bazën e të cilit do të nxjerrë përfundime shkencore. Roli i politikanëve do të vijë në një fazë të mëvonshme. Dialogu është mënyra e vetme për të krijuar një të ardhme të përbashkët, jo kundërshtim. Këtë ia kemi borxh brezave të ardhshëm.

KOHA: Cili është vlerësimi juaj për “betejën” e Maqedonisë së Veriut me krizën shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19?

QUÇUK: Maqedonia e Veriut po bën atë që është e mundur duke pasur parasysh situatën, e cila është shumë dinamike dhe ndryshon çdo ditë. Të gjitha vendet, përfshirë ato me sistem shëndetësor shumë të zhvilluar dhe ekonomi të qëndrueshme, janë mbytëse. BE ka mobilizuar 3.3 miliardë euro për të trajtuar pandeminë e koronavirusit në Ballkanin Perëndimor, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë për të zbutur pasojat socio-ekonomike të COVID-19.

Marketing