Qyteti i Shkupit, 260 mijë euro për drita e zbukurime

260 mijë euro do t’i japë Qyteti i Shkupit vetëm për stolisjen e qytetit për festat e fundivit. Këtë e dëshmon kontrata e lidhur mes Qytetit dhe kompanisë “Link Media Plus”. Me këto para qyteti i Shkupit nuk i blen dritat dekorative dhe bredhat, por ato vetëm i marr me qira për një muaj.

Marketing

Vitin e kaluar harxhimet e zbukurimeve kanë qenë 50 mijë euro më pak, por siç bëjnë të ditur nga Qyteti i Shkupit këtë vit janë shtuar dy bulevarde. Zëdhënësi Valon Salihu thotë se në kontratë përfshihen edhe fishekzjarrët që do të hidhen natën e ndërrimit të motmoteve.

“Procesi i një tenderi, e dini se si është, ne e hapim procesin pastaj hyjnë firmat të cilat japin ofertat e veta. Fatkeqësisht çmimin nuk e rregullojmë dot ne si Qytet i Shkupit , prej nesh varet nëse do ta zbukurojmë ose jo qytetin. Duhet t’i ngjaje një qyteti, si Shkupit që dëshiron ta quajë veten metropol, duhet të ketë zbukurim, kështu që janë shuma të cilat parashihen çdo vit dhe realisht janë të planifikuara që më herët për këtë çështje ”tha Valon Saliu, Zëdhënës i qytetit të Shkupit.

Në furnizmin publik thuhet se kriteri i përzgjedhjes ka qenë se cila kompani ka dhënë ofertën më të lirë. Në faqen e furnizimeve publike shihet se shuma e ofertës më të lartë dhe më të ulët, pa TVSH, është e njëjtë. Edhe zëdhënësi Saliu na tha se ofertë tjetër përveç asaj të “LinkMedias”nuk ka pasur. Megjithatë qytetarët mendojnë se 260 mijë euro janë shumë para për zbukurime me qira.

“Njëjtë siç mendojmë të gjithë. Ka punë më të mençura për t’u bërë”, tha një qytetar.
“U lumtë! Jemi të pasur mjaftueshëm” tha një qytetar.
“Nuk është e nevojshme kaq para të jepen”tha një qytetar.
“Mjedisi nuk është për stolisje e as për të harxhuar mjete të shumta për të. Konsideroj se as nuk duhet të zbukurohet” tha një qytetar.

“Nuk pajtohem. Do ta pyesje qytetin e Shkupit dhe atë që e udhëheq sa nga këto para duhet t’i japë për fëmijët e sëmurë që duhen shpëtuar. Të jenë më human. Qyteti mund që të jetë i bukur edhe me më pak zbukurime” tha një qytetar.

Sipas kontratës për t’u stolisur parashihet Qendra e Shkupit me bredh prej 20 metrash, si dhe 20 rrugë, bulevarde dhe hapësira të tjera publike. Ndërkaq fishekzjarrët e kalibrave të ndryshëm natën e vitit të ri parashihet të zgjasin 6 minuta.