Qyteti i Shkupit do të subvencionojë zejtarë në Çarshinë e Vjetër

Qyteti i Shkupit e shpalli konkursin publik për subvencionim të zejtarëve në Çarshinë e Vjetër me të cilin do të mund të furnizohen vegla dhe repromateriale për zejet që janë në zhdukje.

Marketing

Do të subvencionohet furnizimi i veglave dhe repromaterialeve deri 80 për qind nga shpenzimet e dëshmuara, por jo më shumë se 50.000 denarë, me TVSH të përfshirë.

Konkursi zgjatë deri 20 dhjetor, ndërsa do të realizohet sipas parimit “i pari që vjen, shërbehet i pari”. Nga Qyteti i Shkupit informuan se do të subvencionohen vetëm shpenzimet e dëshmuara të bëra gjatë periudhës prej 1 janarit deri më 20 dhjetor të këtij viti.

Të drejtë pjesëmarrjeje kanë zejtarët të cilët nuk kanë marrë mjete buxhetore për subvencionim nga burime të tjera, të cilët kanë obligime të shlyera ndaj shtetit dhe ndaj të punësuarve, të cilët filluan me punë së paku një vit nga publikimi i konkursit publik dhe të cilët janë të regjistruar në pajtim me Ligjin për veprimtari zejtare.

Konkursi publik është publikuar edhe në ueb-faqen www.skopje.gov.mk, ndërsa kërkesat për subvencionim janë të kapshme në arkivin e Qytetit të Shkupit.

Aplikimi dhe dokumentacioni i plotë duhet të dorëzohen në adresën Qyteti i Shkupit, Sektori për zhvillim ekonomik lokal, bulevardi Ilinden, nr.82, 1000 Shkup (me shenjën – Komisioni për zbatim të procedurës – Paraqitje për konkurs publik për subvencionim të zejtarëve për furnizim të veglave të nevojshme dhe repromaterialeve për zeje në zhdukje në Çarshinë e Vjetër të Shkupit), më së voni deri më 20 dhjetor.

Më shumë informata mund të merren edhe në Sektorin për zhvillim ekonomik lokal në numrin e telefonit 3297 284 apo përmes adresave në e-mail: [email protected] dhe [email protected].

Konkursi publik është shpallur në pajtim me Programin për financim të projekteve për zhvillim të zejtarisë, hotelierisë dhe tregtisë për vitin 2019.

Marketing