Raiola ka zbuluar se Zlatan Ibrahimoviç është “i gatshëm të flasë me Milanin” ndërkohë që sulmuesi veteran suedez vazhdon të jetë i lidhur me një kthim në “San Siro”. Ibrahimoviç është protagonist me LA Galaxy në MLS, megjithatë, raportet mediatike pohojnë se 37-vjeçari mund të jetë joshur nga ideja e rikthimit në Milano.

Ai ka raporte të shkëlqyera me drejtorin e kuqezinjve, Leonardo. Gjiganti suedez shënoi 42 gola në Seria A për Milanin, mes viteve 2010 dhe 2012, para se të transferohej te PSG. Ibrahimoviç, kur u pyet rreth këtyre zërave, tha për TMZ: “Ka gjithmonë zëra, e gjithë bota më do mua. Kjo është në rregull”.

Dhe agjenti i tij i njohur, Mino Raiola, refuzoi ta përjashtonte një eksperiencë të dytë te Milani për Ibrahimovic, i cili ka shënuar 20 gola me LA Galaxy, këtë sezon. “Për momentin nuk është një mundësi, sepse bisedat që kemi pasur me klubin kuqezi nuk janë aktuale, por jemi të përgatitur të flasim, – tha Raiola për “Rai Sport”.

– Në çdo rast jemi të hapur, tani ka njerëz të zakonshëm në krye të Milanit dhe pronarë të besueshëm. Unë kurrë nuk kam pasur probleme me kuqezinjtë, sepse thjesht klubi nuk ekzistonte më parë. Unë nuk po e hap derën, as po e mbyll atë. Ekziston një respekt i madh mes Ibra-s dhe Leonardo-s.

Zlatan pati momente të mrekullueshme në Milano dhe la një pjesë të zemrës së tij aty, ashtu siç ishte i lumtur te PSG-ja. Zlatan kurrë nuk ka kërkuar garanci në karrierën e tij, sepse e di që fiton gjithçka përmes punës dhe stërvitjes. Duhet të kuptojmë se për cilat kushte do të dëshironte Milani të nënshkruante me të”.

evn