Raketa dhe armë në Itali, 3 të arrestuar

Autoritetet italiane kanë sekuestruar një raketë ushtarake dhe armë të sofistikuara në një operacion masiv kundër ekstremistëve të djathtë. Në pranga kanë përfunduar tre persona, të cilët sipas hetuesve luftonin përkrah separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Marketing

Agjentë të seksionit të anti-terrorit në veri të Italisë kanë sekuestruar një raketë “ajër-ajër” dhe armë të tjera të sofistikuara gjatë një operacioni kundër grupeve të ekstremit të djathtë. Sipas mediave italiane, tre persona u arrestuan, dy prej të cilëve në afërsi të një aeroporti, ndërsa u konfiskuan edhe materiale propagandistike neo-naziste. Burimet mediatike nënvizojnë se bastisjet e policisë ishin pjesë e një hetimi mbi ndihmën që ekstremistët italianë i kanë ofruar separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Operacionet e policisë u udhëhoqën nga drejtoria e anti-terrorit të Torinos, DIGOS, dhe u shtrinë në qytetet Milano, Vareze, Forli dhe Novara. Personat e arrestuar janë dy shtetas italianë dhe një zviceran me origjinë italiane. Më 3 korrik, një gjykatë në Xhenova dënoi me burg tre persona që u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në luftimet përkrah separatistëve pro-rusë, që kontrollojnë pjesën dërrmuese të rajoneve Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës.

Dy prej tyre, mes të cilëve shtetasi shqiptar Olsi Krutani, u dënuan me nga dy vjet e tetë muaj, ndërsa i treti, një shtetas moldav, me 1 vit e 4 muaj. Mbi 10 mijë persona kanë humbur jetën në luftimet që kur separatistët e mbështetur nga Moska nisën ofensivën në lindje të Ukrainës, në prill të vitit 2014. Luftimet vazhdojnë ende, por janë më sporadike dhe fronti i betejës ka mbetur i qëndrueshëm prej më shumë se një viti.