Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic, nuk do të largohet nga klubi katalonas këtë verë pasi që ka arritur marrëveshje me drejtuesit e klubit për një kontratë të re, duke i dhënë fund kështu shpresave të Paris Saint-Germainit.

Kontrata e tanishme e kroatit është e vlefshme deri në vitin 2021, por Barcelona dëshiron t’i ofrojë atij një kontratë më të leverdishme për të larguar interesimin e klubeve të tjera evropiane, përcjell Gazeta Express.

Mënyra e vetme për PSG-në që ta transferojnë atë është nëse e paguajnë klauzolën e tij të largimit prej 125 milionë eurosh. Kjo gjë duket e pamundur pasi që francezët veçse kanë mjaftueshëm probleme me FIFA-n sa i përket rregullave të transferimit Financial FairPlay.

Interesimi i PSG-së i nxiti Barcelonën t’i ofrojnë Rakiticit kontratë të re. Por, një gjë të tillë duket se drejtuesit e Barcelonës do ta bënin edhe pa ndikimin e PSG-së pasi kroati është një ndër lojtarët më të rëndësishëm për trajnerin e klubit, Ernesto Valverde.

Ivan Rakitic e kishte rinovuar kontratën në fund të vitit të kaluar, por tani vlera e 30-vjeçarit është rritur edhe më shumë.