Rama dislokon ushtrinë me autoblinda në Tiranë, kërcënon me heqje lirie të pabindurit (video)

Orët e para të mëngjesit e kanë gjetur Tiranën me një dyndje të banorëve. Në tregje dhe në zyrat e shërbimeve apo në banka rradhët janë ndjekur pa rregull dhe pa respektuar distancën për parandalimin e koronavirusit.

Marketing

Për këtë shkak në orën 16 kur dhe rinisi qarkullimi, forcave të rendit dhe policisë ushtarake iu bashkuan dhe batalioni i këmbësorisë së ushtrisë shqiptare.

Mjetet e posaçme kanë zbarkuar në pikat kryesore të Tiranës por dhe në lagje.

Në përmbushje të misionit për të mos lejuar shkeljen e rregullave për parandalimin e koronavirusit ushtria u vendos për të ndaluar dyndjen.

Angazhimi i këmbësorisë do të vazhdojë deri në mesnatë duke u rikthyer herët në mëngjes si një masë e shtuar për të mos lejuar përhapjen e COVID 19.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar marrjen e çdo mase për garantimin e shëndetit të qytetarëve, deri në heqjen e lirisë së personave që nuk respektojnë rregullt.

Rama: Ushtria do të vihet e gjitha në mbrojtje të popullit nga një pakicë fare e vogël individësh të papërgjegjshëm, tradhëtarë të vërtetë, që mund të na bëjnë hatanë dhe nuk duhet të lejohen në asnjë mënyrë të marrin në qafë mijëra e mijëra të pafajshëm, e t’u sjellin vuajtje të mëdha dhjetëra mijëra të tjerëve. Duhet t’i ndalim me çdo kusht dhe do të përdorim çdo mjet, deri në heqjen e plotë të lirisë nëse nuk do të tërhiqen urgjentisht nga rruga e tyre qorre.Populli nuk i’a ka borxh asnjë individi tradhëtinë në këtë përpjekje kombëtare për jetën e njeriut.

Ndërkaq në mbështetje të Shqipërisë por edhe të aleatëve të tjerë është shprehur dhe SHBA duke premtuar deri në 100 milionë dollarë.

“Jemi me Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e ambasadores Yuri Kim në twitter.