Nga takimi me Kancelaren Angela Merkel, Kryeministri Edi Rama tha se mori mbështetje për avancimin e Shqipërisë në rrugën e afrimit me Bashkimin Europian. Për më shumë se 30 minuta, kreu i qeverisë ndau me Kancelaren gjermane pikëpamjet mbi ecurinë e reformave të Shqipërisë dhe përmbushjen e kritereve për hapjen e negociatave në Tetor. Pas takimit nuk pati konferencë për shtyp, por Kryeministri Rama, në një postim, nuk e fshehu kënaqësinë për qëndrimin e Kancelares.

“Shumë i inkurajuar nga vlerësimet dhe predispozita pozitive ndaj Shqipërisë e Kancelares Merkel”, shkruajti ai.

Vetë zyra e Kancelares zbardhi temat e diskutimit dhe konfirmoi mbështetjen për Shqipërinë në rrugën e integrimit, por njëherësh vuri theksin edhe tek monitorimi që Berlini po u bën proceseve të brendshme politike.

“Në fund të Shtatorit, Bundestagu do të vendosë nëse Kancelarja Angela Merkel do të pranojë hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë, në samitin e BE në mesin e Tetorit. Gjermania është shumë e interesuar që përmes mbështetjes së proceseve transformuese, të kontribuojë për përmirësimin e stabilitetit, demokracisë dhe kushtetutshmërisë në Shqipëri. Gjermania mbështeti pranimin e Shqipërisë në NATO në 2009 dhe përkrah pranimin e vendit ballkanik në Bashkimin Evropian”.

Merkel mori dhuratë nga Kryeministri një libër me piktura të tij, moment që Kancelarja e ndau me ndjekësit në rrjetet sociale, me mbishkrimin se“Kryeministri shqiptar nuk është vetëm aktiv politikisht, por është edhe artist”.

Më herët, kreu i qeverisë shqiptare ishte edhe në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut, ku tha se kishte kërkuar PO-në e parlamentit gjerman për Shqipërinë.